Nga: Kastriot Dervishi
Milladin Popoviqin, themeluesin e PKSh-së, e vrau Organizata Shqiptare Irredentiste. Për regjimin komunist të Shqipërisë, Haki Taha që vrau Milladin Popoviqin, ishte një “shovinist shqiptar kosovar”. Për hakmarrje ky regjim vrau vëllain e Hakiut, Qemal Tahën, në Sauk më 27 mars 1946, ndërsa më pas përhapte fjalë se Milladinin “e vrau UDB-ja”. Milladini ishte person me rëndësi sepse kishte zgjedhur Enver Hoxhën në krye të PKSh-së, duke i shkruar dëme Shqipërisë, të cilat në kushte të tjera asnjë pushtim nuk do ia sillte.
Se si është vrarë Milladin Popoviqi, e dëshmon shoku i Haki Tahës, Qazim Vula, pjesëtar i Organizata Shqiptare Irredentiste, formuar në vitin 1944. Vula erdhi në Shqipëri më 18 shtator 1949, për t’i shpëtuar ndjekjes serbomadhe, por këtu vuajti dy dënime të gjata me 18 vjet, katër muaj, 12 ditë heqje lirie, si dhe internim. Pasi regjimi komunist mësoi se Vula ishte pjesëmarrës në vrasjen e Milladinit, e arrestoi më 24 nëntor 1949. I pyetur nga kapiten Mustafa Kondo më 21 maj 1950, Qazim Vula dëshmon në lidhje me vrasjen e Milladinit:
Pasi pranova të isha anëtar i kësaj organizate, Hakiu iku për Gjakovë. Mbas çlirimit të Jugosllavisë, në dhjetor 1944 ose janar 1945, jam takuar me Ali Spahinë në Prishtinë dhe kemi rënë në bisedë rreth çështjes së Jugosllavisë. Aliu ka folur se Milladin Popoviqi ishte kundër kosovarëve, se kishte thënë se nuk kishte pasur Shqipëri etj. Këto mendimi ia miratova edhe unë. Më 11 mars 1945, vjen Haki Taha për t’u takuar me mua. Pasi vajtëm në shtëpinë time tha se ishte ngarkuar nga organizata të vriste Milladin Popoviqin, pasi është i rrezikshëm për ne kosovarët. Hakiu do t’i jepte një letër të cilën e përgatiti në praninë time. Letra që ishte me shkrim me emër të palexueshëm, ishte për shokun që kërkonte të shtrohej në spital pasi ishte i sëmurë. Gjatë leximit nga Milladini, Hakiu do kryente atentatin. Me vete Hakiu kishte marrë një flamur shqiptar të qëndisur me shkronja ari: ‘Kosovës liri – bashkim me Shqipërinë’ që ishte edhe parulla e organizatës. Gjysmën e flamurit e kam shkruar unë. Mbasi ndenji dy net në shtëpinë time, Hakiu u nis për atentat.