Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë u takuan këtë të martë në Bruksel në kuadër të dialogut, proces ky, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.Kryeministri Albin Kurti tha se pala kosovare ka qenë shumë konstruktive, por një gjë e tillë shtoi ai nuk u reflektua nga ana e palës serbe.
Euronews Albania zhvilloi një bisedë të zgjeruar me dy njohës të mirë të zhvillimeve politike në dialogun Kosovë-Serbi dhe rolin, që sipas tyre, duhet të luajë Bashkimi Evropian në këtë proces.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se në takimin e sotëm ishte e pritshme që nuk do kishte një rezultat konkret. Sipas saj, fakti që Kosova ndodhet në tryezën e dialogut në Bruksel dhe ka bërë propozime konkrete mbi mënyrën se si duhet të vijojë dialogu duhet cilësuar si hap pozitiv.
“Në fakt ishte i pritshme, sepse ne prisnim që Kurti do synonte të çonte përpara një qasje të re për dialogun. Ka një dekadë që jemi në dialog dhe si proces nuk ka qenë i mirëorientuar dhe se cili ka qenë epilogu i tij. Pala e Kosovës propozoi katër parime dhe parashtroi qëndrimin e saj rreth këtij procesi, por nuk dimë detaje se si ka shkuar takimi brenda. Duhet të shikohet se sa do të jetë e bëshme kjo gjë. Një gjë është pozitive, që Kosova ka shprehur gatishmërinë të shkojë në dialog”, tha ajo.
Ajo thekson se Bashkimi Evropian duhet të tregojë pozicionin e tij të qartë në raport me dialogun Prishtinë-Beograd.
“Dhjetë vjet kemi paqartësi, kemi marrëveshje të paqarta dhe BE-ja duhet të marrë një pozicion të qartë në raport me procesin”, tha Jeta Krasniqi.
Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh profesor i filozofisë, Elvis Hoxha, shprehet se në takimin e Brukselit sot është arritur shumë dhe kjo arritje për të është “vendosja e reciprocitetit”.
“Për mua është arritur shumë sot. Është arritur pjesa që është pjesa e reciprocitetit në raport me gjërat. Tani jemi në vërtetësinë e gjërave. Deri tani, të dyja përfaqësitë kanë bërë sikur janë marrë vesh. Këtu kemi të bëjmë me një gjë, që është krejt e komplikuar dhe nuk qenka kaq e thjeshtë. Kështu kemi histori…dhe historia fillon me të zhdukurit”, tha Hoxha.
Ai komentoi edhe rolin e ndërmjetësuesve të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, për të cilët tha se e kanë shumë të vështirë pasi përfaqësojnë vende brenda unionit, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosvës.
“Lajçak dhe Borrell duhet ta kuptojnë që është shumë e vështirë, sepse përfaqësojnë dy vende që nuk e njohin Kosovën. Prandaj ju nuk patë rezultat, sepse jemi të barabartë. Unë e shoh këtë si fillimi i fitores. Janë dy subjekte që dialogojnë në një mjedis gjeopolitik dhe komunitar dhe kështu është në lojë BE dhe SHBA”, tha ai.
Sipas z. Hoxha, është Serbia ajo që duhet të avancojë në subjektin e saj të dialogut dhe jo Kosova.
“E varur nga Kosova sot është Serbia. Në këtë kuadër ne shkojmë në një bisedë në Bruksel. Pellgu në të cilin ka lidhje i gjithë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në qendër të Evropës, nëse nuk ekziston ky parimi evropian i vlerave është e kotë të bëhet ky dialog. Prandaj, Serbia duhet të avancojë në subjektin e vetë të dialogut, jo Kosova. Kosova duhet të rrijë në pozicionin e shtetit të pavarur”, tha z. Hoxha.