Në mbledhjen të cilën e ftoi kryetari i Kuvendit të Kosovë, Kadri Veseli, ku morën pjesë kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, sikur edhe anëtarët e ekipit negociator, temë kryesore ishte dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe Samiti i Berlinit, i mbajtur më 29 prill, ku në fokus ishte vazhdimi i dialogut.
Pas mbledhjes, kryeparlamentari Veseli ka deklaruar se Samiti i Berlinit është vlerësuar shumë i suksesshëm nga të gjithë pjesëmarrësit.
“Kemi një mandat për shtet sovran. Ky është qëndrim i ynë. Inkurajojmë domosdoshmërinë e vazhdueshme edhe të SHBA-ve, që të kenë një involvim edhe më të madh. Për ne është me rëndësi ky proces, do të marrim pjesë kudo që na ftojnë. Kosova do të shkojë edhe në Paris. Falënderojmë Merkel dhe Macron për angazhimin e tyre për Kosovën”, theksoi Veseli.
Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi pas përfundimit të Samitit të Berlinit ka deklaruar se beson se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të përfshiheshin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Në Berlin ne e pamë se sa e dobët është Europa dhe se si Bashkimi Europian nuk është i bashkuar. Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm dhe asnjë marrëveshje nuk do të arrihet pa dinamikën dhe rolin udhëheqës të SHBA-së”, tha kryetari i Kosovës për Radio Europa e Lirë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në nëntor të vitit të kaluar pasi Qeveria e Kosovës refuzon ta plotësojë kushtin e Beogradit zyrtar për vazhdimin e dialogut, respektivisht ta tërheq vendimin mbi vënien e taksës në importin e produkteve nga Serbia.
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar në emisionin “Zona e Debatit” në televizionin Klan Kosova se vendimi mbi taksën ishte një nga vendimet më të dinjitetshme që ka sjellur Kosova.
“Taksa është bë çështje pak bajat, sikurse demarkacioni, vendimi më dinjitoz i shtetit të Kosovës në një rrethanë të domosdoshme ka qenë vendosja e taksës. Unë jam ai që kam propozu dhe pastaj me atë letrën pas kërkesës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kam thënë se taksa nuk hiqet, por të supendohet për 120 ditë. Ne nuk jemi ata që duhet të kundërshtojme SHBA’të, prandaj taksa nuk duhet të hiqet pse do Vucic dhe Serbia, por pse po kërkon SHBA”, tha Veseli.
Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jeftić ka deklaruar se pritjet nga Samiti i Brukselit ishin të mëdha dhe se disa kanë pritur ndryshime të mëdha që do t’i hapin dyer dialogut.
“Pritjet e Samitit në Berlin ishin të ndryshme, por në përshtypjen time është se janë bërë disa hapa të vegjël drejt asaj që duhet të ndodhë në të ardhmen, dhe ky është vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Jevtić.
Ditë më parë kryeministri Haradinaj ka deklaruar para gazetarëve se gjatë Samitit të Berlinit u ishte ekspozuar presioneve që ta tërheq vendimin mbi taksën e importit në produktet serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogu. Ai ka theksuar se këtë nga ai e kishin kërkuar edhe nikoqirët e Samitit, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emannuel Macron, por edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Në pjesën e parë zyrtare, fjalën e ka pas shumë përmbajtjësore. Ka pas elemente të mira. Kur e ka shpjeguar pozicionin e Kosovës. Në këtë pjesën informale, të heqjes së taksës, unë jam ndodh në një pozitë të keqe. Në vend se me i pas naj njo që t’mbron, po i ki krejt që të mëshojnë, para miqve, ajo ka qenë e rëndë. Pastaj në pjesën e dytë ka thënë që është keqkuptuar ideja e demarkimit, dhe që nuk është menduar ndarje në vija etnike, gjë tjetër për kufirin s’ka thënë”, ka thënë Haradinaj.
Ndaj këtyre pohimeve ka reaguar menjëherë homologu i tij nga Shqipëria, Edi Rama. Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se në një bisedë joformale Merkel dhe Macron kishin iniciuar rifillimin e dialogut dhe se ai atëherë nga Haradinaj kishte kërkuar që vendimi mbi taksën e importit në produktet serbe të mos hiqet, por të suspendohet për gjashtë apo katër muaj.
“I kam sugjeruar Ramushit ne dy momente ta pranojë këtë kërkesë të tyre, sepse kam menduar dhe mendoj që përfshirja direkte në nivelin më të lartë e Gjermanisë dhe Francës, shfaq si një mundësi e re dhe shumë e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut, në nivelin më të lartë të mundshëm”, ka shkruar Rama në profilin e tij në Facebook.
Ka reaguar edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, duke pohuar se deklarata e kryeministrit Haradinaj, se ai ka bërë presion ndaj tij për heqjen e taksës është e pavërtetë.
“Asnjë presion nuk kam pasur në Berlin.Të gjitha kanë qenë improvizime, aktruese për poenë politikë. Askush nuk ka pasur ndonjë presion”, ka thënë Thaçi për Radio Evropën e Lirë.
Thaçi në fakt pohon se kishte mbështetur propozimin e zëvendëskryeministrit, Enver Hoxhaj për vënien e taksës 10 për qind në produktet serbe, e pastaj edhe propozimin e kyeparlamentarit për vënien e taksës 100 për qind.
Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Dačić ka deklaruar se në periudhën e ardhshme pret presion të madh ndaj Serbisë kur është fjala për Kosovën.
“Deri në korrik, kur do të duhej të zhvillohej një Samit i ri në Paris, Serbia dhe presidenti Aleksandar Vučić do të jenë nën presion të madh. Në të gjitha mënyrat e mundshme do të mundohen të na thyen, të na prishin pozicionin, të mbërrijnë deri tek ajo ku Serbia i humb të gjitha, kurse Kosova i fiton të gjitha”, deklaroi Dačić për portalin serb “Telegraf”, duke shtuar se Serbia nuk do të pranojë t’i kthehet dialogut pa heqjen e taksës në importin e produkteve serbe.
Dialogu dhe zgjidhja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë një nga temat kryesore edhe në Tiranë, ku javën që vjen, në kuadër të procesit “Brdo- Brioni”, do të qëndrojnë edhe liderët e Kosovës dhe Serbisë, sikur edhe ndërmjetësja në dialogun e Brukselit, Federica Mogherini.