Një njeri, një histori, një legjendë, një mister e ndoshta edhe një thesar. Gjithçka duket kaq e çuditshme sa një Pasha si ai, me pushtetin që ai kishte, mos të ketë lënë pas thesare, e në fakt vitet e fundit është folur shumë rreth kësaj çështjeje dhe shumë gjakra janë ndezur për marrjen e një pasurie të paimagjinueshme.
Jemi duke folur për pasurinë e të madhërishmit, Ali Pashë Tepelenës. Disa thonë që ai ka qenë trim dhe shumë i zgjuar, aq sa arriti ta kërcënonte bindshëm edhe vetë Portën e Lartë dhe rolin e saj në Evropë, e disa të tjerë e njohin për egoist, gjakatar i pashërueshëm e shumë etiketime të tjera negative, por parë nga njerëz të ndryshëm na dalin dhe këndvështrime të ndryshme.
Nuk është ky qëllimi jonë, të nxjerrim se si ishte Ali Pasha, apo tempramentin e tij, ne na intereson të hedhim pak dritë në atë që quhet “thesari i shekullit”, thesari i mrekullueshëm i Pashait të Madh.
Ky fakt nuk ka nxitur vetëm gjakrat e shqiptarëve, por edhe të grekëve, që janë duke kërkuar këtë thesar, i cili me të drejtë do t’i jepte fund të gjitha problemeve ekonomike që vendi mund të ketë.
E megjithatë le të bëjmë një paranetezë se kush është Ali Pashai. Ai ka sunduar në Shqipërinë e jugut: Toskëri, Labëri, Kaoni, Epir –dhe pasuria e vënë nga ai me hajdutllëqe, vrasje, shpronësime, pushtime pretendohet se është diku e fshehur, në një vend që nuk ka jetuar njeri për ta treguar.
E megjithatë sot kemi dy shtete të cilat pretendojnë për të dhe që sigurisht disa studiues mendojnë se duhet të ndahet mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë për arsyen e vetme se qendra e tij ka qenë Janina dhe sot ky qytet i përket Greqisë.
Asgjë nuk dihet dhe hipotezat janë të shumta për vendodhjen e kësaj pasurie kolosale, por le t’i hedhim një sy të gjitha hipotezave dhe historisë së zhvillimit të legjendave rreth këtij fakti.
Thuhet se thesari mund të jetë fshehur diku edhe në Kalanë e Tepelenës, apo në ndonjë nga mijëra varret e hapura nga Pashai tepelenas.
Historia e thesarit legjendar të Ali Pashait është e vjetër dhe kërkimet e grekut-australian Vangelis Dimas në fshatin Vassiliki sigurisht do të përfundojnë pa sukses sepse Ali Pashai nuk mund ta ketë fshehur larg vendbanimit të tij thesarin e aq më tepër larg tokave të sunduara prej tij.
Më i njohur nga thesari i Ali Pashë Tepelenës është Diamanti “Spoon maker”, një diamant 16 gr – 86 karatësh në formë dardhe, i rrethuar nga një radhë e dyfishtë prej 49 diamantesh të tjerë që gjendet në Muzeumin e Pallatit Top-kapi dhe quhet krenaria e tij.
Mendohet se është i tij sepse 49 brilantet janë dhuruar nga Ali Pasha për t’i rritur vlerën këtij diamanti, kurse vetë diamanti është marrë nga Ali Pashë Tepelena në betejën e Nikopolit me 1798 në qytetin e Prevezës.
Për sa i përket thesarit prej 40 tonësh ar të tij, ende nuk ka ndonjë gjurmë të tij, megjithatë përpjekjet 200 vjeçare të kërkuesve të ndryshëm të thesarit, të cilët e kanë kërkuar qoftë në Janinë, qoftë, në Shqipërinë e sotme, qoftë dhe tani në Vassiliki të Trikallas.
Ka më shumë se dy muaj që banorët e fshatit Vasiliki të Trikales,350 km në veri të Athinës janë vendosur në qendër të vëmendjes së mediave vendase, por edhe atyre të huaja, pasi është paraqitur në bashkinë e zonës një greko-australian që kërkon pasurinë e pashait të Tepelenës, sipas miteve të vjetra që kanë kaluar brez pas brezi për rreth 30 ton ar dhe bizhuteri që ka fshehur pashai legjendar.
Kërkuesi 65- vjeçar ka paraqitur një dokument tepër të rëndësishëm historik dhe planimetrik që ka në zotërim të tij.
Banorët shprehen se Ali Pashai ka zgjedhur këtë zonë për të fshehur thesarin e tij për arsye se është vendi i prejardhjes të së dashurës së tij ,zonjës Vasiliki, nga e cila ka marrë emrin edhe fshati dhe se nga ky vend kalonin karvanet me taksat e zonës së Thesalisë drejt Janinës.
Gjithë thesari thuhet se është vendosur në disa dhoma të veçanta nën tokë. Ali Pashë Tepelena ka qenë sundimtar i fuqishëm feudal në Shqipërinë Jugore, si dhe themelues i Pashallëkut autonom të Janinës.