E kujtojmë sot datëlindjen e Bajram Currit

Më 16 janar 1862, në Krushë të Madhe të Rahovecit lindi Bajram Curri, kryeplaku shqiptar, politikani dhe aktivisti që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë, duke luftuar më vonë për përfshirjen e Kosovës në të, pas Traktatit të Londrës më 1913.

Vendlindja e prindërve të B. Currit është fshati Koçanaj, lagjia Vukaj, Tropojë. Bajram Curri që në moshën 18 vjeçare u lidh me origjinën e prindërve të tij në Malësinë e Gjakovës. Luftoi përkrah Mic Sokolit, Sulejman Vokshit e mijëra luftëtarëve të tjerë për mbrojtjen e tokave shqiptare të Plavës e të Gucisë si trim e hero. Bajram Curri, në konflikt me sulltanin në vitin 1892 tërhiqet në vendin e tij, Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ku formoi një çetë luftëtarësh duke luftuar kundër Mustafa Pashës.

Ishte një nga organizatorët dhe udhëheqësit e Lidhjes së Pejës dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Mbledhjes së Ferizajt.

Ai ndihmoi në ngritjen e shkollave shqipe në Kosovë, mbrojti alfabetin shqiptar të miratuar në Kongresin e Manastirit, mori pjesë dhe drejtoi Klubin “Bashkimi” në Shkup.

Bajram Curri ishte një luftëtar dhe udhëheqës në të gjitha lëvizjet dhe kryengritjet kundër pushtuesve osmanë në kryengritjet e malësisë së Shkodrës, në kryengritjen e armatosur të viteve 1910-1912. Pas vitit 1912, ai mbrojti shtetin shqiptar nga planet për copëtimin e saj dhe luftoi me armë për lirinë e Kosovës.

Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze.

Ai ishte udhëheqësi i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në Kongresin e Lushnjës, Bajram Curri u zgjodh Anëtar i Këshillit Kombëtar dhe u rendit krahas forcave demokratike të vendit. Ai ishte pranë Nolit dhe Demokratëve në Revolucionin e Qershorit. Bajram Curri u vra në shpellën Dragobia në vitin 1925.

Leave a Comment

Your email address will not be published.