Arsyeja se pse deri dje kishte një depresion të madh te të rinjtë, ishte vet kultura shtetërore që stimulonte dembelinë kolektive, përmes punësimeve abuzive, mbi baza të nepotizmit dhe afërsive partiake
Nga Mehmet PRISHTINA
Finalizimi i ndryshimit në Kosovë ndodhi me formimin Qeverisë së re. Ky është lajmi më i mirë për të gjithë ata që kanë kërkuar një epokë të re në rrëfimin e gjatë të shtetndërtimit të Kosovës. Askush nuk mund ta parashikoj me saktësi të ardhmen, por kur bëhet fjalë për politikë, dhe sidomos kur ajo funksionon brenda një sistemi institucional, atëherë duhet pritur që ky fillim i ri në Kosovë të jetë shpresëdhënës. Jo vetëm për faktin se njerëzit janë lodhur nga keqqeverisja, por edhe nga momentumi që sjell ky ndryshim, ka arsye të besohet se në Kosovë nuk është i pamundur, siç është menduar deri tash, bashkimi i të gjithë atyre që ia duan të mirën vendit. Ka aq shumë punë për të bërë, ka aq shumë nevojë për energji vepruese, sa që Kosovës i nevojiten edhe shumë vite për ta vendosur në vend të duhur disiplinën e punës.
Por, prej dikund duhet filluar dhe pikë referuese nuk duhet të merren anët e dobëta, por ato pozitive brenda një shoqërie. Tani për tani, dimensioni më pozitiv i kësaj Kosove me plot halle është rinia, e cila po i kërkon dy rrugë për ta ndërtuar ardhmërinë e vet: ose të ikë jashtë, për një jetë më të rehatshme, ose të mbetet brenda dhe të shpresojë se gjërat do të lëvizin në drejtim të duhur.
A ka kapacitet dhe vullnet Qeveria e re që këtë pritje të rinisë ta shndërrojë në aksion të gjerë shoqëror, ku secili do ta gjente veten në ato segmente ku mendon se është më produktiv? Për të marrë një përgjigje më të kompletuar, kuptohet se duhet të presim, të paktën 100 ditë, por nëse kthehemi në retrospektivë dhe ua hedhim një sy programeve elektorale të LVV-së dhe LDK-së, do të shohim se programi i tanishëm Qeverisës i ka të gjitha koordinatat e nevojshme që determinojnë një shkallë të lartë përgjegjëse ndaj çështjeve të mprehta sociale, siç është edhe statusi i të rinjve që kryejnë shkolla e kërkojnë punë.
Arsyeja se pse deri dje kishte një depresion të madh te të rinjtë, ishte vet kultura shtetërore që stimulonte dembelinë kolektive, përmes punësimeve abuzive, mbi baza të nepotizmit dhe afërsive partiake.
Arsyeja se pse deri dje institucioni i konkursit ishte vetëm një akt formal që botohej në gazetë, sepse vepronin mekanizma të tjerë të punësimit, tregojnë shembujt e shumtë ku tifozeriapartiake vlente më shumë se një diplomë e Harvardit apo Kembrixhit.
Në momentin kur këto përvoja negative merren vetëm si raste studimi për të shpjeguar nëpër shkolla modelet e keqqeverisjes, që atëherë fillon edhe një numërim i ri i vrapit maratonik, ku fitues dalin ata që suksesin në punë do ta konsideronin trofeun më të madh.
Parakushtet për një garë të tillë shoqërore, duken në horizont, ndërkohë që ringritja institucionale e shtetit të Kosovës në periudhën që vjen, pritet të japë rezultate pikërisht në fushën e angazhimit të energjive të paangazhuara shoqërore, në racionalizimin e kostove abuzive në formë honoraresh për borde e këshilla që ishin zgjatime partiake, dhe mbi të gjitha në hapjen e burimeve të reja që mund të gjenerojnë vende të reja pune dhe potenciale të reja zhvillimi ekonomik e social.
Nëse i referohemi statistikave të ndryshme, rezulton që Kosova ka një varshmëri maksimale nga importi, sidomos të prodhimeve ushqimore, dhe nevojave tjera elementare. Përmbysja e kësaj gjendjeje të pafavorshme mund të bëhet vetëm me një Qeveri e cila karriget nuk i përdor për të dremitur, ashtu siç premtoi që ditën e parë kryeminstri Kurti.
Kosova ka begati natyrore, ka tokë të papunuar, ka resurse të pashfrytëzuara dhe mbi të gjitha ka një popullatë që është e gatshme për punë. Por, ajo që deri tani nuk ka pasur Kosova ka qenë mungesa e vullnetit politik e institucional për ti vënë në lëvizje këto përparësi.
Brenda një mandati është iluzore të priten mrekullia, por nëse vendosen të gjitha nevojat dhe kërkesat në një gradacion normal të priroriteve, do të shohim se problemi i djeshëm mund të bëhet histori, kurse pritja e së nesërmes – mobilizim i përgjithshëm për fitore të reja.
Prishtinë, 6 shkurt