Kuvendit Popullor të RFPJ, në mbledhjen e mbajtur me 7 mars 1947, nën udhëheqjen e Ivo Llolla Ribarit, solli vendim që të pranohet lutja e Qemal Skënderit, i cili ishte i akuzuari i parë, me çka dënimi me vdekje pushkatim i zëvendësohet në dënim me burg në kohëzgjatje prej 20 vjet, ndërsa refuzohen lutjet e Azem Maranës, Hysni Rudit dhe Mehmet Bushit
Qerim LITA
Me 19 maj mbushen plot 64 vjet që kur u pushkatuan tre personalitetet udhëheqëse të KQ të NDSH-së, atdhetarët Azem Marana, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi, nga pushtuesit komunist jugosllav, përkatësisht atij maqedonas. Lexuesit shqiptarë nëpërmjet gazetës KOHA, në disa raste janë njoftuar për procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkup kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSH-së, 26 janar – 7 shkurt 1947, ku siç dihet katër prej tyre u dënuan me vdekje pushkatim: Qemal Skënderi, Azem Marana, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi. Duhet të vëmë në dukje se vendimin me vdekje pushkatim të tre figurave të shquara të kombit shqiptar, pushteti i atëhershëm komunist maqedonas e kreu me 19 maj 1947, në ora 23. Paraprakisht, lënda e katër të akuzuarve me vdekje, u shqyrtua në presidiumin e Kuvendit Popullor të RFPJ. Кy organ më i lartë i federatës së atëhershme jugosllave, në mbledhjen e mbajtur me 7 mars 1947, nën udhëheqjen e Ivo Llolla Ribarit, solli vendim, me të cilin për çudi, pranohet lutja e Qemal Skënderit, i cili ishte i akuzuari i parë, me çka dënimi me vdekje pushkatim i zëvendësohet në dënim me burg në kohëzgjatje prej 20 vjet, ndërsa refuzohen lutjet e Azem Maranës, Hysni Rudit dhe Mehmet Bushit.
Me rastin e këtij përvjetori, për herë të parë po i publikojmë pesë dokumente, të cilat e zbardhin në tërësi rrjedhën e procedurës së zhvilluar nga përfundimi i procesit gjyqësor (7 shkurt 1947) e deri te pushkatimi i tyre (19 maj 1947) siç janë: Vendimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RFPJ, shkresa e Ministrisë së Drejtësisë, dërguar Gjyqit të Qarkut nëpërmjet së cilës kjo e fundit njoftohet për vendimin e presidiumit, shkresa e Gjyqit dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, nëpërmjet së cilës lejohet pushkatimi i tre të akuzuarve, procesverbali i komisionit për zbatimin e vendimit të sipërpërmendur si dhe njoftimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, për pushkatimin e Azem Maranës, Hysni Rudit dhe Mehmet Bushit.
1. “PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR TË RFPJ
Proc. nr. 925, 7 mars viti 1947, Beograd
Në bazë të nen. 1 të Ligjit për dhënie të amnistisë dhe zbutje të dënimit, nen.3, 4 dhe 7 të Ligjit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RFPJ dhe nen. 12 i Rregullores për organizim dhe veprimtari të brendshme të Prezidiumit të Kuvendit Popullor të RFPJ në mbledhjen e mbajtur me 7 mars të vitit 1947, solli këtë:
VENDIM
1. Që lutjet për zbutje të dënimit të Azem Idriz Maranës, Hysni Muharem Rudit dhe Mehmet Nezir Bushit, të gjykuar me dënim vdekje pushkatim me vendimin e plotfuqishëm të Gjyqit popullor të Qarkut në Shkup V.P.nr. 8/47 nga 7 shkurti viti 1947 NUK PRANOHEN.
2. Që lutja për zbutje të dënimit të Qemal Halim Iskënderit, i dënuar me dënim vdekje pushkatim, me vendimin e plotfuqishëm të Gjyqit popullor të Qarkut në Shkup V.P.nr. 8/47 nga 7 shkurti viti 1947 PRANOHET:
3. Që të dënuarit Qemal Halim Iskënderi t’i zëvendësohet dënimi me vdekje me dënim heqje lirie me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vjet, ndërsa dënimi i dhënë humbja e përhershme e të drejtës politike dhe disa të drejta qytetare, të zëvendësohet me dënim humbje e të drejtave politike e disa qytetare, përveç prindërore, në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjet.
Kryetar
D-r Mosha Pijada
Sekretar
M. Peruniçiç
2. “MINISTRIA E DREJTËSISË
DERI TE GJYQI I QARKUT MAQEDONIA DEMOKRATIKE – SHKUP
-Nr. 175, 15 – V- 1947, SHKUP
Ju dërgohen materialet e veprës penale rreth fajësisë së QEMAL ISKËNDERI HALIM etj. dhe Vendimi Proc. Nr. 925 nga 7 marsi 1947 të Kryesisë së Prezidiumit të Kuvendit Popullor të RFPJ, me të cilin vendim NUK JANË PRANUAR lutjet për zbutje të dënimit me vdekje të: AZEM IDRIZ MARANËS, HYSNI MUAHEREM RUDIT dhe MEHMET NEZIR BUSHIT, ndërsa lutja për zbutje të QEMAL HALIM ISKËNDERIT ËSHTË PRANUAR dhe ndaj të njëjtit vendimi i dhënë me vdekje pushkatim zëvendësohet me dënim heqje të lirisë me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 20 vjet.
V. Kalajxhiski, Ministër
3. DERI TE MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME TË RP TË MAQEDONISË
SHKUP
Në pajtim me vendimin e këtij gjyqi vendimin e gjyqit Suprem dhe vendimin e Prezidiumit të RFPJ nr. 925/47 Ju lejohet realizimi i dënimit me vdekje me pushkatim ndaj të dënuarve Azem Idriz Marana, Hysni Muarrem Rudi dhe Mehmet Nezir Bushi.
Për realizimin ju lusim që të jemi të njoftuar
16. V. 1947
Kryetari
4. PROÇESVERBAL
Në pajtim me letrën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RP të Maqedonisë Proc.VII Nr. 1500 nga 19 maji viti 1947, me të cilën caktohet komisioni për zbatimin e dënimit me vdekje ndaj:
1/ AZEM IDRIZ MARANA, djali i Idriz Maranës dhe Atixhe Durakut, mësues shqiptar, shtetas i Jugosllavisë, mosha 23 vjeç, i lindur në fshatin Maranë, rrethi i Draçevës, ka jetuar në Shkup, i martuar, nuk ka qenë i dënuar më herët.
2/ HYSNI MUARREM RUDI, djali i Muarremit dhe Nerxhivanit, mosha 28 vjeç, me kombësi shqiptar, shtetas i Jugosllavisë, gjatë kohës së okupacionit oficer italian, i lindur në Mitrovicën e Kosovës, ka jetuar në Tiranë RP e Shqipërisë, i martuar me një fëmijë, më herët nuk ka qenë i dënuar.
3/ MEHMET NAZIF BUSHI, djalë i Nezirit dhe i Minës, oficer, i lindur në fshatin Dukagjin, rrethi i Burelit-Shqipëri, ka jetuar në Tetovë, mosha 33 vjeç, shqiptar, shtetas i Shqipërisë, më herët nuk ka qenë i dënuar.
Të tre janë dënuar nga ana e Gjyqit popullor të qarkut Shkup, me vendim V. P. Nr. 8/47 nga 7 shkurti i vitit 1947 me dënim me VDEKJE pushkatim, humbje të përhershme e të drejtave qytetare e politike, për vepër penale kundër popullit e shtetit, për shkak se kanë qenë organizator dhe anëtarë të organizatës antipopullore “Nacional Demokratike Shqiptare” dhe kanë punuar për rrënimin e rregullimit ekzistues të RFPJ. Vendimi i gjyqit të qarkut është vërtetuar nga ana e Gjyqit Suprem të RP të Maqedonisë me vendimin V.A.Nr. 49/47 dhe lutjet për amnisti janë hedhë poshtë nga ana e Kuvendit popullor të RFPJ me vendim Nr. 925 nga 7 marsi – 1947, me çka vendimi u shpall i plotfuqishëm.
Në pajtim me shkronjën “I” nga rregullorja e përkohshme për ekzekutimin e dënimeve, komisioni në përbërje: Reiz Shaqiri –kryeshef i DPB-së si përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme të RP të Maqedonisë, shoku Jovan Dukovski –ndihmës prokurori, si përfaqësues i Prokurorisë Publike për RP të Maqedonisë dhe shoku Gjorgji Gavrillski – ndihmës ministër, si përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësi Popullore të RP të Maqedonisë, në prani të proçesverbalistit, shokut Ratko Panovski, me datën 19.V.1947 u takua në drejtorinë e burgut-Shkup. Komisioni pasi konstatoi se të dënuarit me vdekje AZEM MARANA, HYSNI RUDI dhe MEHMET BUSHI janë njoftuar për ekzekutimin e dënimit me vdekje, se janë njoftuar familjet e tyre dhe se gjithçka ka shkuar sipas procedurës ligjore, urdhëroi që të dënuarit me vdekje të dërgohen në vend të caktuar për pushkatim. Pas kësaj, të dënuarit menjëherë qenë dërguar dhe shoku prokurori publik të gjithë të dënuarve ua dha fjalën përfundimtare, pasi të gjithë u shprehën u shkua në realizimin e dënimit me vdekje pushkatim ndaj të treve. Pas 15 minutave nga pushkatimi, mjeku konstatoi se personat kanë vdekur, komisioni urdhëroi që personat të varrosen në vendin e caktuar. E gjithë kjo mbaroi në ora 23 në datën 19.V. të vitit 1947. I hartuar në katër ekzemplarë me datën 19.V.1947.
5. “MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME E REPUBLIKËS POPULLORE TË MAQEDONISË
DERI TE GJYQI I QARKUT SHKUP
NJË KOPJE: DERI TE PROKURORI PUBLIK I RP TË MAQEDONISË
Si shtojcë Ju dërgohet procesverbali i komisionit që mori pjesë gjatë realizimit të dënimit me vdekje ndaj të dënuarve: Azem Idriz Maranës, Hysni Muarem Rudit dhe Mehmet Nezir Bushit, të cilët janë dënuar nga ana e atij gjyqi me vendim V.P. nr. 8/47
KRYESHEFI I DHOMËS SË VII