Se ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të këqija të tjera dhe duartroket qeverinë kur i thotë ajo që ka qetësi të plotë.
Na thonë, se qetësia mbretëron në Shqipëri; e besojmë. Na thonë, se për tre javë do ndodhet eksperti i financave në Shqipëri, gëzohemi.
Na thonë, se qeveria do blerë dhjetë aeroplanë dhe japim me duart plot. Na thonë, se për pak kohë Shqipëria do të bëhet oksidentale, duartrokitim. Na thonë, se qeveria e shpëtoj shtetin nga një rrezik i madh, thërrasim me tërë fuqinë: “rroftë qeveria kombëtare!” Na thonë se fluturoi gomari… ne e besojmë!…