Ekonomia më e madhe e Europës regjistron nivel rekord të borxhit në 3-mujorin e parë

Borxhi publik në Gjermani ka arritur një nivel rekord në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Sipas Byrosë Federale të Statistikave, arsyeja kryesore është mbi të gjitha rritja e shpenzimeve në luftën kundër krizës energjetike.

Borxhi i përgjithshëm shtetëror në nivel federal, provincial dhe bashkiak, përfshirë borxhin e sigurimeve shoqërore, më 31 mars shënonte një rritje prej 1.6 %, ose rreth 39 miliardë euro. Vetëm borxhi i shtetit federal në tre muajt e parë të këtij viti është rritur me 2.4 %në rreth 1.6 miliardë euro. Byroja Federale e Statistikave tha se rritja e borxhit ishte kryesisht për shkak të “rritjes së nevojave për financim si rezultat i krizës aktuale energjetike që lidhet me luftën e Rusisë kundër Ukrainës”.

Rreth 200 miliardë euro janë rezervuar për të ashtuquajturin frenim të çmimit të gazit dhe mbështetjen financiare për furnizuesit e energjisë. Rritja e borxhit rrjedhimisht është kryesisht rezultat i buxheteve shtesë të krijuara për këtë qëllim.

Në nëntor të vitit të kaluar u krijua Fondi i Stabilizimit Ekonomik të Energjisë. Vetëm ai fond special në tre muajt e parë të këtij viti çoi në një rritje të borxhit publik me 73 % – me 22 miliardë euro, në gjithsej 52 miliardë euro, sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve Reuters. Gjithashtu, borxhi për zbutjen e pasojave të pandemisë u rrit me 53 miliardë euro dhe u krijua një fond special me shpenzime prej 802 milionë eurosh për nevojat e ushtrisë gjermane.

Kur bëhet fjalë për provincat, ka pasur një rënie të lehtë të borxhit me 0.5 %, në gjithsej 604 miliardë euro. Bavaria reduktoi më së shumti huamarrjen e saj, me 16.8 %, pra në rreth 32.45 milionë euro. Borxhin më të madh e ka North Rhine-Vestphalia – por edhe më së shumti banorë. Ka pasur një rritje prej rreth 3%, në gjithsej 236 milionë euro. Mesatarisht, kjo do të thotë se borxhi për banor të Gjermanisë është 13.065 euro. Ndryshe nga zhvillimi në krahina, borxhi i bashkive u rrit. Aty u shënua një rritje prej 1.9 %, në 143 miliardë euro.

Leave a Comment

Your email address will not be published.