Elena Gjika, mbretëresha shqiptare e kulturës evropiane

Elena Gjika e njohur me emrin letrar Dora D’Istria është një prej shkrimtareve dhe publicistëve më të famshme shqiptare, një prej personaliteteve më në zë femërore që kemi pasur në historinë tonë, e me famë ndërkombëtare.

Ajo lindi në Bukuresht në vitin 1828 dhe vdiq në Firence në vitin 1888. Ishte një nga personalitetet më të mëdha të kohës, një evropianiste me ndikim të madh, kundërshtare e regjimeve despotike dhe shtypjes kombëtare.

Elena do të ishte një përkrahëse e denjë e çështjes kombëtare shqiptare dhe do të kishte lidhje me personalitetet e mëdha shqiptare si me gjuhëtarin Dhimitër Kamarda, Zef Jubanin, Zef Seremben, Thimit Mitkon, etj.

Ajo u mor shumë me militimin e çështjes kombëtare shqiptare dhe kontribut të madh dha veçanërisht në Lidhjen shqiptare të Prizrenit.

Ishte një studiuese e zjarrtë e folklorit shqiptar dhe u bë me famë për studimet e saj në shumë lëme të kulturës dhe veçanërisht me studimet  “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj.

Elena Gjika ishte e afirmuar si shkrimtare, publicistë dhe shkencëtare e një niveli panevropian dhe u bë veçanërisht e njohur me veprën e saj “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860),  ku autorja ka shprehur një dashuri të pakufishme për gratë, në një kohë kur dihej gjendja e tyre dhe ajo ishte në ballë të plejadës së intelektualëve evropianë për emancipimin e gruas.

Veprat e Dora d’Istrias janë të mbrujtura me idenë e shenjtë të emancipimit kombëtar e ndërkombëtar, të përparimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet popujve.

Shkrimet e saj gëzojnë një famë të madhe dhe vlerësim të lartë evropian, ndërsa autorja e tyre, sipas mendimit të disa komentatorëve, qëndron krahas autoritetit të Zonjës de Stawl dhe George Sand.

Elena Gjika është një prej grave më të shkolluara shqiptare. Edukimi i saj dhe formimi kulturor i ishin besuar një mësuesi të shquar të asaj kohe, i cili e vlerësoi gjithmonë si një grua gjeniale,  Gregor Gjergj Papadopulos (Gregory George Papadopulos) i Selanikut që më vonë do të bëhej një personazh i nivelit të lartë i botës kulturore greke.

Ajo komunikonte në shtatë gjuhë dhe kishte një vullnet të hatashëm për të kryer studime shkencore dhe kishte një korrespondencë të habitshme me shkencëtarët dhe personalitetet e shquar të kohës.

Janë të shumtë personalitetet që shkruan për këtë grua që nga Cezar Boliac, Gheorghe Baritiu, Radu Ionescu, Grigore Peretz, Nicolae Iorga, Gheorge Calinescu, etj.

Elena kishte një vizion të qartë dhe një qëllim të lartë për të mbrojtur kombet e vegjël. Ajo studionte folklorin e tyre, të cilën e konsideronte një pasuri të pashoqe dhe në këtë punë të jashtëzakonshme nuk harronte kurrë kombin e saj, shqiptarët.

Në shkrimet e saj ajo e ngriti zërin për emancipimin e femrës rumune, shqiptare e serbe por dhe për gratë e kombeve të tjera.

Duke njohur mirë popujt Evropës Juglindore ajo përfshiu në shkrimet e saj aspekte të veçanta nga jeta e tyre, historia dhe kultura, duke qenë në ballë të luftës së tyre për liri, përparim e pavarësi.

Duke ardhur nga një familje e njohur shqiptare, ishte bija e guvernatorit Mihalache Ghica, i cili nga ana e tij ishte vëlla me sunduesin e Muntenisë, Grigore Ghica (1822-1828) dhe sunduesin e Vllahisë, Alexandru Ghica (1834-1842).

Në kohën e sundimit të Aleksandrit, babai i Elenës ishte ministër i Punëve të Brendshme, por, kur ai ra nga posti ministror, familja Gjika u detyrua ta braktisë Bukureshtin.

Prejardhjen e saj shqiptare të moçme ajo e sqaron në një nga librat e saj ku thuhet se familja e saj u romanizua në martesa të shumta që ata patën me rumunë.

Elena Gjika në shkrimet e saj do mbronte prejardhjen e shqiptarëve prej pellazgëve, do tregonte historinë e Shqipërisë së nëmur nga pushtimet e shumta, nga sulltanët e njëpasnjëshëm, nga serbët, do ngrinte çështjen e Çamërisë, të Tivarit shqiptar, do fliste për Mirditën si Zemrën e Shqipërisë katolike e shumë çështje të nxehta të kohës.

Shumë me vlerë është dhe korrespondenca e Elena Gjikës me De Radën, e botuar në shqip dhe që në fakt bën fjalë për vitet 1865-1887 ku ajo i shkruan nga shumë qytete ku ajo jetoi.

Në një nga letrat e saj mund të dallojmë : “Zotëri! Kam marrë shumë ekzemplarë të Manifestit arbëresh-italian, për të cilin më flisni.

Në qoftë se shqiptarët ishin sllavë, atëherë Shqipëria mund ta shqyrtonte çështjen, nëse kombet sllave të gadishullit tonë kanë interes ta përkrahin pansllavizmin. Por, meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk

duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë.

Serbi Dushan i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit”.

Për sa i përket jetës së saj private thuhet se në vitin 1849 ajo u martua me dukën rus Aleksandër Kolstov Massalki dhe për disa vjet ajo jetoi në Rusi, kryesisht në Shën Petërburg, por nuk është se ushqente simpati për pikëpamjet nacionaliste të të shoqit dhe as fanatizmin ortodoks të perandorit despotik Nikolla.

Shëndeti i saj u përkeqësua nga klima ruse ndaj ajo shkoi në Evropën Qendrore, fillimisht në Zvicër dhe më pas në Greqi dhe në Anadoll. Përfundimisht u vendos në Itali.

Për veprimtarinë e saj si intelektuale u rradhit ndër 10 femrat më të zgjuara të kohës.

“Në periudhën nga viti 1860 deri në vitin 1888, në Firence, ka jetuar një grua që konsiderohet “një nga mendjet më të ndritura e më të zgjuara të Evropës” do shkruante antropologu Paolo Mantegazza, një prej studiuesve më të mëdhenj italianë. Ja si e përshkruante ai:

”Një trup i përsosur, e hirshme e me zemër fisnike, me mendje artisti e mendimtari. Këto tre veti të marra së bashku janë të rralla për t’u gjetur te një njeri, madje edhe vetëm njëra prej tyre, por të gjitha së bashku përbëjnë diçka të veçantë.

Vetëm fati mund ta krijojë këtë mrekulli; dhe kjo mrekulli që kishte krijuar natyra ishte në gjendje t’i përhapte të gjitha ata virtyte të mëdha dhe të ndryshme, kjo mrekulli e kishte emrin Elena Gjika, e cila më pas e pagëzoi veten, në botën e letërsisë, me një emër të dytë edhe më të njohur, Dora D’Istria”.

Dora d’Istria shprehu gjithmonë të menduarit e saj feminist, rigoroz në nivel intelektual: analizoi statusin e grave përballë të drejtës civile dhe fetare, denoncoi Konkordatin, i cili e kishte bërë martesën “të parevokueshme”, si dhe jetën e manastirit, ndryshe nga Kodi i Napoleonit i cili, përkundrazi, e kishte lejuar divorcin.

Tregoi gjithmonë një prirje të veçantë për të ndihmuar ata që kishin nevojë dhe këtë impuls bujar madje e manifestoi deri në fund, duke i lënë trashëgim të gjithë pasurisë e saj Institutit  kombëtar të shurdhmemecëve të Firences .

Jeta e saj nuk është gjë tjetër veç një shembull i madh për të gjithë ata që e njohën për së gjalli por dhe për ata që lexuan veprën e saj të famshme. Mbetet një nga gratë më të mëdha dhe më të shquara të shekullit 19-të dhe të gjitha kohërave.

Leave a Comment

Your email address will not be published.