Një nga filozofët më të mëdhenj të Mesjetës ishte dhe shqiptari nga Epiri, Nikolla Leonik Tomeu. Në të gjitha biografitë që shkruhen për të në gjuhë të huaja përmendet fakti se ai ishte një ndër humanistët më të shquar shqiptarë, i diplomuar për filozofi. Ai lindi në Venedik në vitin 1456, në një familje që kish emigruar nga Durrësi. Në të gjitha veprat që ka lënë, ai përmend me krenari prejardhjen e tij shqiptare.
Në vitet 1504-1531 ishte një ndër intelektualët më në zë të Vendikut dhe drejtues i shoqërisë “Shkolla e shqiptarëve”, që ishte kthyer në një qendër të kulturës shqiptare në mërgim. Në vitin 1497 Nikolla emërohet profesor dhe titullar i katedrës së filozofisë në Universitetin e Padovës, ku pati si student dhe Nikolla Kopernikun, një ndër astronomët më të mëdhenj të Mesjetës.
Si politolog dhe njohës i mirë i kulturës antike dhe të kohës, Tomeu ka lënë një sërë veprash si: “Dhjetë dialogët”, “Aristoteli, historia e jetës dhe veprave”, dhe shumë studime historike dhe filozofike. Emri i tij i është vendosur një shkolle në Durrës. Sipas të dhënave që jep studiuesi Ilia Karanxha ajo që ruhet sot dhe përbën një vlerë të madhe historike janë raportet e Toemos me rrethin e humanistëve anglezë që erdhën të studionin në Padova të Italisë.
Ishin të shumtë studentët me të cilët ai pati raporte të vërteta miqësore të një respekti reciprok por mbi të gjitha të një mirëkuptimi ideologjik të cilat nuk u ndërprenë as pas largimit të tyre në Angli. Një korrespondencë që hedh dritë mbi këto marrëdhënie në vitet 1521-1531 ruhet në Bibliotekën Vatikane ( Ms. Ross. 997) e cila është publikuar vetëm pjesërisht nga Kardinali Francis Gasquet(1846-1929). Studiuesi anglez Jonathan Woolson do të shkruajë :
…Për më shumë se tre dekada burim frymëzimi këtu ishte filozofi padovan Nikolla Leonik Tomeu . Ai inkurajoi studimin e teksteve antike greke e latine mes studentëve të tij të shumtë anglezë dhe drejtoi ata tek vlerat të cilat theksojnë edukimin dhe rëndësinë shoqërore të studimeve humanistike…
Mbas impenjimeve të drejtpërdrejta në Universitetin e Padovës (1497-1504) dhe më pas në Shkollën e Kancelarisë të Venedikut(1504-6) Tomeoja u rikthye në Padova e mbeti aty gjer në fund të jetës së tij. Në këtë periudhë Tomeoja iu dedikua studimeve mbi Platonin dhe Aristotelin e nuk duket që të jetë përfshirë më zyrtarisht në strukturat e universitetit. Pra Tomeon duhet ta shikojmë më pas më shumë si një dijetar të pavarur e të mirënjohur, i cili vazhdonte të zhvillonte studimet e veta umanistike por edhe veprimtarinë didaktike në një formë private.
Kështu një sërë studentësh anglezë që erdhën të studionin në Padova patën rekomandime të veçanta nga Anglia, apo nga gjetkë, pikërisht në sajë të famës që gëzonte Tomeo në ambientin evropian. Erasmi i Roterdamit më 31 gusht 1524 nga Basilea e këshillonte studentin Haio Herman: se: Ka mjaft të devotshëm në Padova dhe ju do ta keni Venetikun fare afër, ju do të gjeni mjaft midis tyre që zotërojnë mësimdhënje të shquara pa shumë pretendime, në veçanti Leoniku-n.
Sidoqoftë mbas vitit 1520 raportet e Tomeos me intelektualët anglezë janë meritë e kapaciteteve të vetë Tomeos e të respektit që vazhdonin të ruanin akoma për të ish-studentët e tij të parë anglezë pra humanistët e shquar si p.sh. Richard Pace, Cuthbert Tunstall, Ëilliam Latimer, Thomas Linacre e të tjerë. Fakti që iu besua kushëriri i mbretit R. Pole ishte jo vetëm një garanci për kopetencat e Tomeos por shërbente edhe si nxitës për studentët e tjerë.
Shumë e njohur është miqësia që Tomeo kishte me diplomatin dhe humanistin e shquar Richard Pace, një ndër më të njohurit e Mesjetës, miqësi e cila bëri të mundur dhe publikimin e veprës “Aristotelis Stagiritae: Parva naturalia (Aristotele Stagirate: Traktat i shkurtër mbi natyrën) të cilën Tomeo nga ana e vet ia dedikonte pikërisht Pace.
Të shumtë ishin studentët që morën mësime nga ky profesor i nderuar, me një reputacion të jashtëzakonshëm në gjithë botën. Aq sa anglezët shkonin në Itali vetëm për të dëgjuar leksionet e tij të ndritura. Fryma e tij e trajtimit të aristotelizmit ndikoi dhe në ambientet universitare të Oksfordit e Cambridge. Tomeu vdiq në janar të vitit 1531.