Dy personazhe pa ndonjë destinacion të qartë jetësor, arsyetohen se janë në të pritje të shpëtimtarit të tyre. Por kur ai vjen, ata dështojnë ta kuptojnë domethënien e asaj që kanë pritur tërë jetën.
Ky rrëfim shtjellohet në shfaqjen që u dha premierë në Teatrin e Gjilanit.
Vepra e cila shtjellon çështje filozofike dhe të ndërlikuara në marrëdhëniet njerëzore “Duke Pritur Godonë” nga autori Daniel Curzon, nën regjinë e Shkelzen Berishës vjen në një version tjetër, me titull “Erdhi Godoja”, raporton “Express” i KTV-së.
Berisha e ka zgjedhur këtë vepër për ta inskenuar për shkak se “Duke Pritur Godonë”, gjithmonë e kishte inspiruar gjatë kohës së studimeve.
“Në këtë vepër, mund të themi që përgjatë tërë ngjarjeve që ndodhin në vazhdueshmëri, ideja e pritjes, e zgjedhjes na përçon gjithmonë edhe pse vërehet që është një lloj dualizmi i natyrshëm që ne e kemi shpesh kur zgjohemi nga gjumi e derisa të shkojmë për të fjetur”, ka thënë Berisha.
Gjithashtu, Berisha thotë se “Erdhi Godoja” nuk kufizohet në vetëm një zhanër.
“Zhanrin të cilin unë mendoj që e kam përdor në këtë moment, është një lloj kombinim zhanresh, një lloj gërshetimi stilesh e cila në një mënyrë të pavërejtur shumë, do të thotë në një mënyrë ku zhanret shkrihen me njëra tjetrën, unë së bashku me aktorët sigurisht jemi munduar të krijojmë një lloj tërësie teatrale ose një lloj tërësie stili që arrin të komunikojë me publiku”, tregoi regjisori Berisha.
Aktorët që luajnë në shfaqje janë Avni Shkodra, Gani Rrahmani, Njomza Kalaveshi dhe Tringa Hasani.