I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai shtoi se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.
“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.
Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë.
Ai tha se për Shtetet e Bashkuara, çështja e Kosovës “nuk është çështje e hapur”, pasi Uashingtoni dëshiron që Kosova të njihet prej të gjitha shteteve të BE-së dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Ai tha se SHBA-ja mbështet “plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony]Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha ai.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë diskutime në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Procesi i dialogut ka për synim normalizimin e plotë të raporteve.