Kryeministri Albin Kurti është shfaqur në një konferencë për media së bashku me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, pas takimit që e patën.
Lajçak paralajmëroi se do t’i vazhdojnë diskutimet me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani lidhur me planet për javët dhe muajt e ardhshëm.
“Kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha ai.
Emisari evropian tha se do të qëndrojnë në Kosovë deri të mërkurën. Deri atëherë ai theksoi se shpreson që “ta kemi një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja dhe se si të ndërtohet procesi”.
Ndërsa Escobar siguroi se Kosova e ka një partner dhe mik të mirë përkrah. “Ju duhet të jeni miq me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, ndërsa foli se si Kosova duhet ta ndjek edhe rrugën e saj të integrimit në BE.
“Nga perspektiva amerikane dua vetëm të theksoj se Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.”– tha fillimisht diplomati amerikan.
“Ju jeni evropianë, ju jeni historikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht evropianë”, tha ndër tjerash Escobar.
Para tyre, kryeministri Kurti foli për prioritetet dhe punët e Qeverisë, me theks në luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Pasi përmendi disa prej arritjeve të ekzekutivit, Kurti u ndal edhe te dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilin tha se integriteti territorial, sovraniteti e funksionimi shtetëror duhet të mbesin të pacenuara.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet dhe është ë angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel për dialogun parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt”, deklaroi Kurti.
Kurti u shpreh se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnike, por tha se do të merren praktikat më të mira sepse nuk mund të ketë diku komunitet të diskriminuar e diku tjetër të privilegjuar.
“Jam kryeministri i të gjithë qytetarëve pa dallim prandaj edhe jam i gatshëm që t’ju përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës edhe të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë me çrast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimi Evropian e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton Serbia sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitet që janë të privilegjuar e diku tjetër të diskriminuar”, vijoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës u zotua edhe për bashkëpunim rajonal duke thënë se angazhohen në Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, po pa përmendur nismat e tjera siç është ajo e “Open Balkan”.
Kurti deklaroi se Evropa është kontinenti ynë dhe Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë fati ynë.
“Gjithashtu angazhohemi edhe për bashkëpunimin rajonal, na e mbështesim fuqishëm Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal dhe e ritheksova që integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë. Evropa është kontinenti ynë dhe Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë fati ynë. Në këtë kuptim ne dëshirojmë ndihmën e Bashkimi Evropian, ndihmë kjo e cila do të has në vendin tonë respektin më të lartë për vlerat evropiane, pra fondet evropiane dhe vlerat evropiane ne i shohim si të lidhura pashkëputshëm njëra prej tjetrës”, përfundoi Kurti.