Një temë tjetër, e cila nuk do t’i shpëtojë agjendës së qeverisë së re, pritet të jetë edhe çështja e vizave.
Liberalizimi u është premtuar qytetarëve të Kosovës prej vitit 2010, por ky proces ende nuk është përmbyllur.
Teksa ka folur rreth kësaj Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane, “Epik”, ka thënë se aktualisht janë katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën: mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar; Raporti i Vendit 2019, i cili identifikoi sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit; ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave. “Brenda BE-së janë disa vende, të cilat për arsye të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këtu vende kyçe kundër janë: Franca, Holanda dhe Danimarka”, ka deklaruar ai.
Sidoqoftë gjatë vitit 2020, siç Shasha është shprehur, Presidencën e BE-së do ta kenë dy vende mike të Kosovës: Kroacia (1 janar – 30 qershor 2020) dhe Gjermania (1 korrik – 31 dhjetor 2020). Prandaj sipas tij ekziston mundësia që çështja e liberalizimit të vizave të përkrahet nga dy presidencat gjegjëse. Por paraprakisht sipas drejtorit të “Epikut” Kosova duhet t’i përfundojë detyrat e shtëpisë.
“Në këtë drejtim duhet shpresuar se Qeveria do të ketë vullnet politik për t’i avancuar proceset e ngecura integruese të vendit, qoftë ato të ndërlidhura me liberalizimin e vizave ose ato të ndërlidhura me statusin e vendit kandidat”, ka nënvizuar ai.