Në prag të inagurimit të presidentit të ri, Joe Biden, situata në vend duket e acaruar. Paralajmërimet e FBI-së se ardhja e tij në pushtet do të pritej me protesta të armatosura, u konfirmuan që të dielën.
Disa nga aderuesit e grupit ekstremist antiqeveritar, “Boogaloo Bois”, folën për revolucion.
“Nuk duhet të kemi frikë t’i mbrojmë të drejtat kur na shkelen, kudo dhe sado tiranik të jetë regjimi ku jetojmë. Duhet të çohemi dhe të luftojmë për liri. Këtë bënë edhe paraardhësit tanë.“
“Mund të trembim nga pamja e jashtme por ne jemi këtu paqësisht. Nuk po i prekim e as po i përdorim armët tona. Jemi këtu thjesht për t’i treguar qeverisë se nuk ia kemi frikën dhe do i qëndrojmë asaj që ne e mendojmë si të drejtë.”
Përballë tyre qëndronin edhe qytetarë të cilët nuk e kuptonin qëllimin e protestës dhe mbështetjen për republikanin Tramp.
Më shumë se 25 mijë trupa të Gardës Kombëtare janë duke siguruar edhe Uashingtonin, kryeqytetin ku do të mbahet ceremonia e betimit të Bajdenit paraditen e së mërkurës.
Ekipi i tij u ka kërkuar amerikanëve që ta ndjekin ceremonialin nga televizioni dhe t’i shmangin udhëtimet drejt Kapitolit atë ditë, për shkak edhe të pandemisë së kovidit-19.