Fillon numërimi i votave me postë

Ka filluar procesi i numërimit të rreth 13 mijë e 500 fletëvotimeve të cilat kanë ardhur përmes postës gjatë periudhës së votimit 19 shtator – 5 tetor 2019.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ky numërim fillon pas vlerësimit që i është bërë pakove me fletëvotime që kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës. Vlerësimi, si proces, ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon, në mënyrë që fletëvotimi të aprovohet ose refuzohet.

Kësisoj, gjatë periudhës së vlerësimit janë proceduar dhe vlerësuar 16 mijë e 189 pako të supozuara me fletëvotime, prej tyre 13 mijë e 491 janë aprovuar, ndërsa 2 mijë e 698 janë refuzuar.

Arsyet se përse janë refuzuar rreth 2 mijë e 700 persona janë si në vazhdim:

• 1 mijë e 74 persona që nuk kanë aplikuar në periudhën për t’u regjistruar si votues jashtë vendit;

• 204 aplikues të cilët janë refuzuar gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë vendit;

• 62 persona të cilët janë dërguar pako me fletëvotime më shumë se një herë;

• 797 raste të tjera kur personat që nuk janë identifikuar që kanë dërguar fletëvotim; dhe

• 561 persona që nuk e kanë dëshmuar identitetin me dokumente valide të identifikimit (që kanë dërguar kopje të dokumenteve me afat të skaduar).

Numërimi i të gjitha këtyre fletëvotimeve do të bëhet në 23 tavolina numërimi. Rezultati i këtij numërimi do të përditësohet kohë pas kohe në tabelën e QNR-së si dhe gjithashtu formularët që plotësohen pas këtij numërimi do të skanohen dhe publikohen në ueb faqe të KQZ-së.

Leave a Comment

Your email address will not be published.