Mohimi i krimeve e etiketimi i viktimës si kriminel, janë pjesë të fjalorit të politikanëve serbë. Jo vetëm të atyre në Serbi, por edhe bashkëkombësve të tyre që jetojnë në Kosovë. Duke qenë anëtarë të qeverisë së një shteti si Kosova, që është formuar pasi Serbia ka vrarë mijëra njerëz e ka depërtuar qindra mijëra të tjerë, ata flasim për “terroristë shqiptarë” e për Serbinë si “viktimë”, shkruan sot Koha Ditore.
Një ish-ministre e Drejtësisë e një ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal janë shkarkuar nga kryeministri i Kosovës për gjuhën e tyre. Por Vesna Mikiq e Ivan Teodosijeviq midis të tjerash janë edhe produkt nacionalizmit serb që vetëm në folklorin e artin e këtij populli ka shtrirë rrënjët së paku që nga Mesjeta. Nacionalizmi serb i kanalizuar nëpërmjet folklorit ka kërkuar vrasjen e joserbëve e mohimin e krimeve të serbëve apo shikimin e tyre si akt patriotik.
Por krejt kjo nuk ndalet vetëm në Serbi ose në Ballkan. Ka shkuar shumë më larg.
Radovan Karaxhiqin dhe Brenton Tarrantin i lidhë një këngë që ky i fundit e dëgjonte për “heroin serb”. Është aso këngë që e paraqet Karaxhiqin alamet patrioti. Pesë ditë pasi Tarrant i “shoqëruar” me heroin e tij ia mësyu dy xhamive për të vrarë 49 persona që po kryenin një ritual fetar, Karaxhiq u dënua përjetësisht si përgjegjësi kryesor për krimet serbe në Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve ’90.