Nga një medie franceze marrim vesh se Franca po i shet Rafalët e vet Serbisë. Ndonjë ditë forcat e NATO-s ku bën pjesë edhe Franca, do të ndeshen me avionët e tyre. Ose edhe më keq, këta avionë mund të përfundojnë në Rusi, sepse kjo e fundit ka shumë nevojë për to, duke qenë se avionët e saj të luftës kanë shumë difekte.
Natyrisht që e kemi kuptuar se presidenti kroat ishte një rast i veçuar pro-rus, E kemi kuptuar se Orbani i korruptuar e shpie tërë Hungarinë në një udhë pa krye në shërbim të Putinit. E kemi kuptuar se ish-presidenti i rrjedhur çek kishte një dashuri të pakushtëzuar me Serbinë e Milosheviçit, E kemi kuptuar deri diku që Spanja e njëson veten me Serbinë gjenocidale kur nuk e njeh Kosovën, Mund ta kuptojmë se nafta ruse futet në Evropë nëpërmjet Greqisë. BE nuk është aq unike. Por divergjencat e kanë një kufi.
POR VEPRIMI QË NUK E KUPTOJMË DOT ËSHTË MANIA E FRANCËS PËR T’I SHITUR AVIONË USHTARAKË SERBISË.
Kjo është hera e dytë. Nga një medie franceze marrim vesh se Franca po i shet Rafalët e vet Serbisë. Ndonjë ditë forcat e NATO-s ku bën pjesë edhe Franca, do të ndeshen me avionët e tyre. Ose edhe më keq, këta avionë mund të përfundojnë në Rusi, sepse kjo e fundit ka shumë nevojë për to, duke qenë se avionët e saj të luftës kanë shumë difekte.
Në median Meta-Defence paraqitet një artikull me titull: Rafalët afrohen edhe ca me Serbinë. Ne po i ofrojmë publikut vetëm dy paragrafë.
“[Pas shitjes së avionëve Indisë] një kontratë tjetër eksporti për bombarduesit e Dassault Aviation mund të konkretizohet në javët ose muajt e ardhshëm. Me rastin e vizitës së tij në sallonin IDEX 2023, që u mbajt këtë javë në Abu Dabi, presidenti serb, Alexandar Vuçiq, tregoi se negociatat me Rusinë lidhur me blerjen e mundshme të MIG-29 për të zëvendësuar aparatet në shërbim të forcave ajrore serbe, u lanë mënjanë, dhe një kërkesë formale do t’i drejtohet Francës për blerjen e një duzine Rafalësh në ditët në vazhdim. Në deklaratë u përmend shuma 3 miliardë euro, gjë që përmban avionët, simulatorët, pjesët e këmbimit, armatimet dhe formimin e domosdoshëm për të vënë në punë këta aparate që janë shumë më modernë se MIG-29SM dhe Soko J-11, aktualisht në shërbim. Presidenti Vuçiq tha se një shumë shtesë 700 milionë dollarë do t’i shtohej buxhetit të mbrojtjes që është 1.5 miliardë për këtë vit, çka tregon përmbylljen e shpejtë të marrëveshjes.
Për presidentin serb, historikisht i afërt me Vladimir Putinin, bëhet fjalë për një vendim edhe më të vështirë kur lufta në Ukrainë ka nxitur tensionet dhe pritjet nga secila palë. Kandidate për në BE, Serbia e ka shumë të vështirë të justifikojë blerjen e avionëve rusë të luftës, edhe pse janë më ekonomikë se avionët evropianë. Duket madje se industria ruse e ka të vështirë të furnizojë klientët me pjesë këmbimi, ngaqë pjesa më e madhe e saj është në funksion të forcave ruse të angazhuara në front. Performancat e aviacionit rus në qiellin ukrainas, edhe pse janë përmirësuar javët e fundit, kanë hedhur dyshimin mbi efikasitetin e sistemit të armatimit rus, sidomos për avionët e luftës…”