Thelbi i negociatave të gazit në Ballkan do të duhet të vendoset nga kompania Gazprom. Ky është ultimatum i Moskës. Në negociatat e deritanishme përfaqësuesit e “Gazprom” kanë propozuar që lista e çmimeve të ardhshme të formohet duke pasur si dysheme 70 për qind të çmimit të gazit në bursë, dhe 30 për qind sipas formulës së naftës.
Vladimir Putin ka thirrur urgjent Aleksandër Vuçiçin, kësaj radhe jo në Kremlin, por në rezidencën e tij në Detin e Zi në Soçi, ku do t’i kërkojë dy gjëra; për Kosovën të rrijë sipas pazarit që kërkon Moska dhe e dyta, që Serbia të jetë magazinë e Gazit rus. Këtë e bën të ditur media e Kremlinit, “Sputnik”, e cila nuk e fsheh sekëlldinë e Presidentit të Serbisë, i cili nga ana e tij, bën të ditur se është shumë i emocionuar që e ka thirrur Putin me shpejtësi.
Vuçiç, pas daçës(vilës) së Putinit në Soçi do të ketë një vizitë në Duman ruse, ku ka vendosur të flasë rusisht dhe këto ditë ka ndjekur mësime intensive në gjuhën ruse.
Në lidhje me takimin në Soçi ka folur vetë njeriu i dytë pas Putinit në Kremlin, Dimitri Peskov. “Këto janë biseda shumë të rëndësishme me aleatin dhe mikun tonë. Siç e dini, marrëdhëniet tona dypalëshe kanë një karakter të veçantë”, tha Peskov në një konferencë të rregullt për shtyp, duke shtuar se bashkëpunimi tregtar e ekonomik si dhe çështjet e investimeve do të jenë pjesë e agjendës së bisedimeve të nesërme.
Peskov konfirmoi se çmimi i gazit do të jetë një nga temat e bisedës mes dy liderëve, por edhe lufta kundër Covid 19.
“Sa i përket gazit, ne kemi dëgjuar disa herë deklaratat e presidentit Vuçiç se do ta ngrejë atë çështje. Mund të supozohet se do të jetë në rend dite. Do të shqyrtohet edhe çështja e luftës kundër koronavirusit. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që do të diskutohet për situatën në Ballkan, e cila është komplekse, si dhe për situatën ndërkombëtare, e cila nuk është më pak shqetësuese”, tha Peskov.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se ishte shumë nervoz para takimit me presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin do të diskutonte të gjitha çështjet kryesore politike.
“Një takim shumë i rëndësishëm për Serbinë. Rusia është partneri ynë i katërt tregtar, ne kemi shumë hapësirë për të rritur shkëmbimet me ta”, tha presidenti serb.
Ai shtoi se me presidentin rus do të diskutojë temën kyçe për Serbinë, dhe ajo është gazi.
“Serbia aktualisht ka rezerva prej 128 milionë metra kub gaz sepse e konsumon çdo ditë dhe për këtë arsye çmimi i tij është i një rëndësie vendimtare. Çmimi i energjisë elektrike është pesë herë më i lartë në bursë dhe nuk duam ta blejmë. Sot çmimi i gazit është 1064 dollarë në bursë dhe ne paguajmë 270”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se do të bisedojë me Putinin për Kosovën dhe se do ta informojë për gjithçka që po ndodh në bisedimet me BE, si dhe për të gjithë situatën në Ballkanin Perëndimor.
“Kemi pyetje interesante nga rajoni, por është mjaft e sigurt që do të jem në gjendje të dëgjoj nga Putini se si e sheh ai situatën në Evropë, Azi dhe në botë, dhe si ne, si një vend i vogël, mund të gjejmë më të mirën, cili do të jetë pozicionimi ynë në një botë të trazuar dhe si t’i mbrojmë interesat tona”, tha Vuçiç.
Rusia, përveç gazit, ka ndërmarrë një ofensivë të madhe tregtare me medikamentet mjekësore, sidomos pas shpërthimit të Covid 19, e këtë e pranoi vetë Presidenti serb.
Vuçiç tha se programi i bashkëpunimit ekonomik nga viti 2021 deri në vitin 2026 është harmonizuar me Rusinë.
“Është diçka që ne e kemi përgatitur prej kohësh. Ne ramë dakord edhe për fazën e parë të qendrës së radiofarmacisë me vlerë 15 milionë euro. Gjithçka u ra dakord për Petroheminë dhe ne ishim të vetmit që mund ta bënim këtë me rusët”, vuri në dukje ai.
Ndërkaq, Vuçiç ka vendosur t’i drejtohet Dumës në gjuhën ruse për të impresionuar më shumë deputetët e Federatës për afërsinë e dy vendeve. Dhe kohë më parë ai ka marrë mesime intensive me zyshë Irina Galkina në një gjimnaz në Beograd.
Putin do ta takojë Vuçiçin, një ditë pas presidentit të Palestinës Mahmud Abas.
Thelbi i negociatave të gazit në Ballkan do të duhet të vendoset nga kompania Gazprom. Ky është ultimatum i Moskës. Në negociatat e deritanishme përfaqësuesit e “Gazprom” kanë propozuar që lista e çmimeve të ardhshme të formohet duke pasur si dysheme 70 për qind të çmimit të gazit në bursë, dhe 30 për qind sipas formulës së naftës. Kur të mblidhet kjo, çmimi për një mijë metër kub gaz do të duhej të jetë 790 dollarë në vend të 270 që tani paguan Serbia.
Kryeredaktori i agjencisë informative ‘Regnum’, Modest Kolerov tha se autoritetet serbe, me në krye Aleksander Vuçiçin, po përpiqen të shfrytëzojnë gazsjellësin Rrjedha Ballkanike për të shantazhuar Rusinë.
“Ndoshta shumë interesa biznesi lindin rreth çdo projekti transiti. Por problemi kryesor politik i Rusisë në lidhje me “Rrjedhën Ballkanike” përmes Serbisë është se rreth këtyre interesave normale, autoritetet e Vuçiqit po përpiqen të krijojnë një situatë shantazhi politik, domethënë të bindin njerëzit e tyre dhe të gjithë, rreth asaj se ky gazsjellës është disi i lidhur me problemin e Kosovës”, tha Kolerov./Pamfleti