Gjenden një pjesë e mostrave të Astrit Deharit

Një pjesë e mostrave të Astrit Deharit, janë gjetur brenda Instituti për Mjekësi Ligjore. Telegrafi mëson se mostrat ishin zhvendosur nga laboratori i toksikologjisë, në një frigorifer tjetër brenda IML-së.

Duke iu referuar burimit, mostrat e gjetura janë të lukthit dhe të urinës, ndërsa mungojnë mostrat e gjakut.

“Komisioni për inventarizim i ka gjetur në një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Hetuesit e policisë janë duke punuar me kapacitete të plota për të zbuluar se si kanë përfunduar në atë frigorifer gjysma e mostrave të Deharit”, bën të ditur një burim i Telegrafit.

Lidhur me rastin, mediumi ka kontaktuar MD-në, dhe Prokurorinë por të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.

Më 8 dhjetor 2022 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

MD-ja më pas njoftoi se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në lidhje me rastin.

Komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore kishte marrë vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore. Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Ditor Haliti, zv.drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, më herët ka deklaruar se katër punëtorët e suspenduar me vendim të komisionit disiplinor me 8 dhjetor të vitit 2022, janë rikthyer në punë.

Nëna e të ndjerit Astrit Dehari, Xhemilja, kishte deklaruar se gjaku i Astritit ka qenë i përdorshëm pasi është marrë nga institute zviceran, por sipas saj ka qenë tronditëse humbja e gjakut nga IML.

Ajo kishte thënë se zhdukja e mostrave ka qenë vdekja e dytë për Astritin.

“Këtë vit u dha lajmi se paskan humbur mostrat e gjakut. Unë them është vjedhur gjaku. Për mua personalisht kjo ka qenë vdekja e dytë për Astritin. Unë nuk e di si mund të konsiderohet ndryshe pos vdekje kur dikujt i vidhet gjaku”, ka deklaruar nëna e Astritit.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi me 16.02.2023, kishte kërkuar nga prokuroria që të merret në pyetje kryeministri i vendit Albin Kurti për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).

Abazi gjatë një konference për media kërkoi po ashtu që prokuroria duhet të marr në pyetje edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun si dhe Dejona Mihalin, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj Bajrami.

“IML-ja është në monitorim me kamera 24 orë. Dhe thash që prokuroria duhet të marr në pyetje Albin Kurtin, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj Bajrami. Rasti i Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve që kërkojnë drejtësi. Dhe platforma e LVV-së ka qenë që drejtësia duhet të dal në dritë”, ka thënë Abazi, raporton Telegrafi.

Po ashtu Abazi pyeti se si është e mundur që të zhduken mostrat e Deharit dhe kryeministri Kurti mos të thotë asnjë gjë.

“Ne as si shoqëri, si qytetarë e as si deputet nuk mund të rrimë të heshtur përball një procesi të këtillë. Të gjithë duhet ta kryejmë punën që na takon. IML-ja është e monitoruar 24 orë prej kamerave. Dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi se kush i ka nxjerr mostrat dhe janë zhdukur, rrjedhimisht porosia ime për Haxhiun është që të kryej punën e saj si ministre, që ka obligim si ministre para Kuvendit të Kosovës”, kishte thënë Abazi.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Deharit kishte ndërruar jetë në qelinë e paraburgimit me 5 nëntor 2016.

Që nga ajo kohë vazhdon të mbetet ende një rast i pazgjidhur./Telegrafi/

Leave a Comment

Your email address will not be published.