Gjermania suspendon projektin e gazsjellësit ‘Nord Stream II’ me Rusinë

Kancelari gjerman Olaf Scholz njofton se ka urdhëruar Ministrinë e Ekonomisë që të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit “Nord Stream II”.

Ky vendim i Scholzit vjen pas veprimeve të fundit të Rusisë për të njohur dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

Kujtojmë se presidenti Vladimir Putin kishte urdhëruar ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu që të “sigurojë paqe” në rajonet separatiste të Donetskut dhe Luhanskut.

Kjo njohje nga Putin është si pretekst për të pushtuar Ukrainën, edhe pse deri më tani nuk janë parë lëvizje apo tërheqje e trupave ruse përgjatë kufirit ukrainas.

Tashmë gjenden rreth 200 mijë ushtarë rusë përgjatë vijës kufitare me Ukrainën, që prej muajsh janë në gjendje gatishmërie dhe sipas agjencive amerikane të inteligjencës, Putin mundet çdo çast të urdhërojë pushtimin e vendit.

Moska do të vazhdojë të furnizojë me gaz Evropën, tha të martën ministri rus i energjisë, Nikolay Shulginov, në një kohë kur Gjermania deklaroi se nuk do të certifikonte gazsjellësin rus Nord Stream 2.

“Kompanitë ruse do të vazhdojnë kontratat e gazit me vendet si Turqia dhe Gjermania,” u shpreh Nikolay Shulginov në një forum në Doha, duke thënë se po fliste në emër të Presidentit rus Putin.

“Rusia do të vazhdojë të ofrojë gaz për të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar”, theksoi ai.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të martën se certifikimi i Nord Stream 2 nuk mund të vazhdojë pas lëvizjes së Rusisë të hënën për të njohur pavaresinë e dy rajone separatiste në Ukrainën lindore.

Edhe ish-presidenti dhe ish-kryeminsitri i Rusisë, Dimitry Medvedev ka reaguar pas vendimit të Gjermanisë për të pezulluar certifikimin e gazsjellësit Nord Stream 2, duke paralajmëruar për rritje marramendase të çmimit të gazit në Europë.

“Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka dhënë urdhër që të ndërpritet procesi i certifikimit të Nord Stream 2. Në rregull. Mirë se vini në një botë të re e të guximshme, ku europianët së shpejti do të duhet të paguajnë 2000 euro për 1000 metra kub gaz natyror”, tha Medvedev, në një postim në Twitter.

Kancelari austriak Karl Nehammer e bëri të qartë të hënën se certifikimi nuk mund të vazhdojë nëse Rusia pushton Ukrainën.

SHBA, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Japonia kanë premtuar se do të vendosin sanksione ndaj Rusisë nëse pushton Ukrainën.

Putin të hënën dërgoi trupa në dy rajonet separatiste, duke ngritur spekulime për veprime të mëtejshme ushtarake. Gjithshtu, Putin kërkoi të marten miratimin e Parlamentit rus për të përdorur ushtrinë jashtë Rusisë, miratim i cili u dha.

BE importon rreth një të tretën e gazit të saj nga Moska. Pjesa më e madhe e tij vjen përmes tubacioneve, duke përfshirë Yamal-Europe, që kalon përmes Bjellorusisë dhe Polonisë, dhe Nord Stream 1, që kalon përgjatë Detit Baltik.

Leave a Comment

Your email address will not be published.