Gjuhëtari Gerard Cheshire pretendon se ka dekoduar “librin më misterioz në botë”

Në botë ka libra të moçëm e të fshehtë që shkojnë përtej të kuptuarit njerëzor. I njohur si dorëshkrimi i Voynichit, ky artefakt, që e ka zanafillën nga shekulli XV, është kthyer praktikisht në një legjendë bashkëkohore. Posi “shpata në gurë” e mbretit Artur, “libri më misterioz në botë” ka ngashënjyer një sërë lexuesish kureshtarë që kanë ndarë mendjen për të nxjerrë ndonjë kuptim prej tij.

Objekti qe nxjerrë në pah më 1912 nga koleksionisti i antikuarëve i quajtur Wilfrid Voynich, dhe gjatë gjithë shekullit të kaluar mesazhi i dorëshkrimit ka lajthitur të gjithë ata që e kanë hapur dhe janë kredhur në vrimën e lepurit, përfshirë kriptografët, thyesit e kodeve, gjuhëtarët, e madje edhe programet kompjuterike. Pasi ka përsiatur këtë libër të çuditshëm për vetëm dy javë, një akademik në Angli tani mendon se e ka kapur kuptimin e tij.

“Kam përjetuar një varg momentesh ‘eureka’, përderisa e deshifroja kodin, i ndjekur nga një ndjesi e mosbesimit dhe ngazëllimit kur e kuptova përmasën e arritjes, si në aspektin e rëndësisë së saj gjuhësore ashtu edhe për zbulimet në lidhje me zanafillën dhe përmbajtjen e dorëshkrimit”, kujton gjuhëtari Gerard Cheshire.

Është një mëtim i pazakontë që është recensuar dhe publikuar në revistën “Romance Studies”. Por çfarëdo legjitimiteti që mund të ofrojë recensioni, ai është baraspeshuar menjëherë nga vegullia e metodës së hulumtimit.

Duke zbatuar “një teknikë novatore dhe të pavarur të mendimit eksperimental” – apo sikundër e thotë njoftimi për shtyp – “mendim i drejtpërdrejtë dhe zgjuarsi” – Cheshire beson se ka gjetur një gjuhë të zhdukur, e atillë që tejkalon frëngjishten, italishten, rumanishten, spanjishten portugeze dhe galishten.

Cheshire është i bindur se teksti është shkruar në një gjuhë proto-romane tejet normale, një shembull që është përhumbur në histori, dhe ka nam jo për kodin e vet të shkruar zgjuarësisht, por më tepër që është aq e kudondodhur.

Duke përkthyer copëza nga teksti, ai thotë se dorëshkrimi bën fjalë për shërimin barishtor, banjën, lexime astrologjie dhe trupin femëror. Ai madje mëton se e di edhe kush e shkroi atë: një murgeshë dominikane e përpiloi këtë si referencë për “oborrin mbretëror femëror” të Marisë së Kastiles, mbretëreshës së Aragonit.

Fjala vjen, një imazh thuhet se paraqet dy gra që merren me pesë fëmijë në banjë, duke nëpërdhëmbur fraza që duket se u ngjasojnë fjalëve katalane, portugeze dhe romane, të tilla si “tepër zhurmshëm”, “marrok/budalla” dhe madje “humbje durimi”, të cilat, sikundër sugjeron autori, mund të jenë rrënja të frazës frënge “oh là là”, apo “oh i dashur”.

Është lehtë të thuhet se ku është farkëtuar një shpatë legjendare, por në këtë rast, si mund ta dimë që Cheshire jep shpjegimin e duhur? Disa studiues po u qasen këtyre mëtimeve me skepticizëm të rreptë.

Duke folur me Jeniffer Ouellette në “Ars Technica”, Lisa Fagin Davis, që është drejtoreshë ekzekutive në Akademinë Mesjetare të Amerikës, ishte qesëndisëse në vlerësimet e saj mbi mëtimet e Cheshireit.

“Si me shumë interpretues rrahagjokës të Voynichit, logjika e këtij propozimi është qarkulluese dhe dëshirore: ai niset me teorinë se çfarë domethënie mund të ketë një varg i caktuar i hieroglifëve, në të shumtën e herëve për shkak të afërsisë së fjalës me një imazh që ai beson se mund ta interpretojë”, thotë ajo. “Përveç kësaj, argumenti themelor − se na paska diçka e tillë si ‘gjuha proto-romancë’ – është krejtësisht i pathemeltë dhe në kundërshtim me paleogjuhësinë”.

Kjo nuk është hera e parë që një interpretim mbi dorëshkrimin e Voynichit ka dalë mbi themele të lëkundshme. Gjatë viteve, shumë pretendime të ngjashme janë shpërfaqur, disa më të besueshme se të tjerat, por shumica e tyre në fund të përgënjeshtruara.

Vitin e kaluar, një algoritëm kompjuterik ka gjetur se gjuha në tekstin 200-faqësh i ngjason më së shumti hebraishtes dhe jo gjuhëve romane.

Më 2017, një hulumtues i historisë dhe shkrimtar televiziv i quajtur Nicholas Gibbs bëri bujë kur pretendoi se teksti ishte një doracak mbi shëndetin e grave me një varg shkurtesash latine.

Duke nxjerrë dy vargje përkthimi si provë, idetë e tij u hodhën poshtë shpejt, ku ekspertë të ndryshëm theksuan se tema mbi shëndetin e grave është provuar kaherë.

Dhe ndoshta, vetëm ndoshta, shakaja është mbi të gjithë ne. Vite më parë, një studim i ri gjeti dëshmi se e gjithë gjëja mund të jetë thjesht një rreng i stërholluar.

Pasi ka shpenzuar një dekadë të përimtimit të tekstit, autori Gordon Rugg nga Universiteti i Keelet, argumenton se “gjuha” e elaboruar e dorëshkrimit fare lehtë mund të jetë sajuar në rast se autori dinte disa teknika të thjeshta të kodimit.

Me fjalë të tjera, ne mund të kemi harxhuar gjithë kohën me tërheqjen e shpatës, vetëm e vetëm për të kuptuar se shpata është e ngulitur me ngjitës në gurë/ Romance Studies.

Leave a Comment

Your email address will not be published.