Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se Gjykata e Lartë në Beograd sot ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
“Siç dihet, ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit dhe Ministri i sotëm i Brendshëm i Aleksandër Vuçiqit, përdor vazhdimisht terminologjinë fyese “šiptari” në vend të terminologjisë zyrtare në Serbi: “albanci””, ka thënë Kamberi.
Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, siç thotë Kamberi Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.
Kamberi ka kërkuar të reagojnë BE, SHBA dhe vendet e rajonit ndaj këtij rasti, duke shtuar se kjo nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit.
Tutje ai ka theksuar se vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë në Beograd është precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor.
Në fund të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Beograd mbi padinë e Anita Mitiq, një ish-aktiviste e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, kundër tabloidit “Informer”. Gjykata sanksionoi përdorimin e termit “Shiptar” si gjuhë urrejtjeje. Ekziston edhe mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviq, sipas së cilës, thirrja e popullit shqiptar “Shiptar” është nënçmuese dhe fyen anëtarët e asaj kombësie. Ajo gjashtë vjet më parë paraqiti mendimin se dy tabloide në Serbi, shkelën Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit sepse ata i quanin shqiptarët “Shiptari”.