Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur dje për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, duke thënë se vetëm tre persona i kanë pasur çelësat e dhomës ku qëndronin këto mostra.
Por, në konferencën për media deputeti i LVV-së, Haki Abazi, ka thënë se në institutin ku ndodheshin mostrat e Deharit ka monitorim 24-orësh të kamerave, prandaj ai thotë se kjo dihet qartë se kush i ka marrë ato.
Ai madje thotë se për këtë rast Prokuroria duhet ta marrë në pyetje kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe ministren Albulena Haxhiu.
“Nuk besoj që kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet t’i marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dehona Mihajllin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj-Bajramin. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve. Rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”.
Kryeprokurori Isufaj: të hënën do të intervistohen Kurti e Haxhiu
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka dhënë një përgjigje për gazetën Nacionale, për pretendimet e Abazit se duhen të intervistohen kryeministri Kurti e ministrja Haxhiu për zhdukjen e mostrave në rastin “Dehari”.
Isufaj ka thënë se kjo do të ndodhë në ditën e ardhshme të punës.“Nëse ka thënë ashtu, ne nësër do ta intervistojmë Kurtin e Haxhiun. Në fakt të hënën, meqenëse nesër nuk është ditë pune, menjëherë në ditën e ardhshme të punës, do t’i i ntervistojmë”, ka thënë Isufaj.
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka “shpërthyer bombën” me deklaratat e tij në konferencën e sotme për media në hollin e Kuvendit.
“Audioincizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit e Dejona Mihalit për ngufatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit. Videoincizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit”, tha Abazi, raporton Nacionale.
Sipas tij, pyetjet që ka ngritur ai rreth rastit “Dehari” kanë bërë që të kërkohet shkarkimi i tij.
Hulumtimi im, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë te shkarkimi dhe anatemomi brenda LVV-së. Shkarkimi im është minor ndaj borxhit që kemi se ka ndodhur me rastin ‘Dehari’, si është e mundur në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme”, tha Abazi më tutje.
“As si deputetë nuk mund të rrimë të heshtur përballë një procesi të tillë, dhe duhet ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë temë. Instituti monitorohet 24 orë nga kamerat dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera dhe janë zhdukur. Porosia ime për Albulena Haxhiun është që të kryejë punën e saj”, deklaroi Haki Abazi.
Avni Dehari-Haki Abazit: Pse heshte deri më sot, po e bën për synime personale
Për akuzat e Abazit për Front Online, flet Avni Dehari babai i viktimës, Astrit Deharit.
Dehari thotë se nëse Abazi e ka ditur këtë më herët pse ka heshtur deri sot.
“Rasti i mostrave ka ndodhur më 8.12.2022. Pyetini ata që tash ngritën pse kanë heshtur atëherë dhe pse duan të flasin tani për këtë rast”, deklaron ai.
Ai, thotë se arsyet që po flitet tani për mostrat e zhdukura të Astritit janë vetëm synimet personale.
“Nuk dua të lëshohem në rrafshin e atyre personave që rastin e Astritit dhe çdo rast tjetër e shfrytëzojnë për realizimin e synimeve personale”, u shpreh Dehari për Front Online.
Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, ministrja Haxhiu i përgjigjet pretendimeve të Haki Abazit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas pretendimeve të deputetit Haki Abazi në lidhje me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Haxhiu tha se i kanë deklaratat në institucionet e Kosovës për ngjarjen në fjalë. Haxhiu ka thënë se Abazi duhet ta njoftojë e të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale e jo të tentojë të fshihet prapa imunitetit të tij si deputet.
Tomë Gashi-Haki Abazit: Dorëzoji provat në Prokurori!
Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari, njofton se ka paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për marrjen në pyetje të deputetit Haki Abazi në cilësinë e dëshmitarit.
Kjo pasi ky i fundit sot mbajti një konferencë për media duke thënë se ka bërë një hulumtim lidhur me rastin Dehari dhe se lidhur me zhdukjen e mostrave të të ndjerit “ekzistojnë video-incizime me të cilat dihet qartë se kush ka hy te frigoriferi” në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Gashi me anë të një postimi në Facebook i kërkon Abazit që t’i dorëzojë provat në prokurori.
“Haki Abazi e ka borxh ndaj Astrit Deharit dhe e ka obligim ligjor që të dëshmojë dhe t’i dorëzojë të gjitha provat që ai pretendon se i ka në Prokurori, e që kanë të bëjnë me rastin e zhdukjes së mostrave biologjike dhe të gjakut të Astritit, të cilat janë zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, e që për zhdukjen e tyre është bërë e ditur para dy muajve”, shkruan avokati në postimin e tij.
Ai po ashtu ka bashkëngjitur edhe dokumentin e kërkesës ndaj prokurorisë, si përfaqësues juridik i familjes Dehari.