Irani ka vendosur të “hakmerret” pas dëbimit të trupës diplomatike nga Tirana, duke ndërmarrë një tjetër sulm kibernetik ndaj Shqipërisë, shënjestër e të cilit këtë herë, kanë qenë të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit tonë dhe Policia e Shtetit.
Si pasojë, sistemi nuk ka punuar në të gjitha pikat e kalimit kufitar, duke i kthyer edhe njëherë punonjësit në të shkuarën, pasi të detyruar nga avaria kanë hapur regjistrat për punuar manualisht, me qëllim shmangien e radhëve të gjata.
Sulmi kibernetik në pikat e kalimit kufitar të gjithë vendit, mes tyre në Rinas, Kakavijë, e Kapshticë ka futur doganat në kaos.
Pkat e kalimit janë detyruar që të hapin regjistrat duke punuar manualisht, me qëllim shmangien e radhëve të gjata. Për sulmin, kryeministri Rama akuzoi sërish Iranin.
Por rënia e sistemit TIMS ka ngritur alarmin në policinë e shtetit. Ky moment mund të shfrytëzohet nga kriminelët për të kaluar lehtësisht kufirin.
Vetëm një regjistër me laps nuk do ta ndalojë dot personin e kërkuar.
Ky është një shteg i mirë për trafikantët e drogës, apo kriminelë të tjerë për t’u arratisur në hyrje apo dalje, pasi kontrolli nuk do të kalojë nëpër filtrat e dyshimit dhe riskut, të “magazinës” së emrave e të dhënave që janë në sistem.
Kufijtë shqiptarë presupozohet se janë të padepërtueshëm për krimin kur sistemi TIMS funksionon.
Nëse personi është në kërkim, apo i dënuar, menjëherë kjo pasqyrohet në sistem dhe policia kufitare operon menjëherë. Por nga mbrëmë kufiri është lehtësisht i kalueshëm.