Hasan Prishtina dhe shtëpia e tij në Selanik!

Nga Vlera GJAKOVA

Në këto fotografi të shkëputura nga distanca, është shtëpia e Hasan Prishtinës, në rrugën “Leoforos Vasilissis Olgas”, në Selanik.
Sot kjo shtëpi nuk ka as edhe një gjurmë të ideologut tonë kombëtar. Sot kjo shtëpi është shndërruar në një shkollë për fëmijët e verbër. Kjo shtëpi ta jep ndjesinë sikurse është e burgosur dhe po qëndron prapa grilave, ku sigurimi i cili është i pozicionuar në hyrjen e shtëpisë, natyrisht nuk ta lejon hyrjen, pra duhesh të qëndrosh larg, mundësisht edhe prapa grilave.

A nuk është ky një verbërim real për kombin dhe historinë shqiptare? E turpëruar nga realiteti, duke ekzistuar si një copë jashtëqitje e pasardhësve të mi, një shekull më vonë, karshi hapësirës që të rrënqethë trupin por çfarë me i bo piskamës së brendshme? Me kë bre ta manifestojë piskamën? Me rojtarin i cili më shiqoi sikurse të isha një idiote që po tentoj të futem brenda shtëpisë apo me fëmijët e verbër që janë të pafajshëm në këtë realitet ekzistues… të cilët me shkopinjtë e tyre kishin dalur prapa shtëpisë për ajër të pastër?
Si është e mundur që kjo shtëpi të mos ketë as edhe një pllakë përkujtimore, emër dhe mbiemër, dy iniciale, të paktën vetëm dy: H. P. në emrin e tij? Dhe, ai flamuri që valon lartë mbi shtëpinë e Hasan Prishtinës… (nuk ka lidhje kjo me shprehje të emocioneve nacionaliste. Nuk është e nevojshme të valon një flamur mbi një “shkollë” me karakter të tillë).
Për fat të keq sot asnjë medium nuk shkruan për veprën dhe aktivitetin e Hasan Prishtinës si dhe për kontributin e shumë shqiptarëve dhe jo vetëm ne Selanik. Është ironike se edhe ata shqiptarë që e vizitojnë Selanikun, nuk e dijnë për ekzistencën e kësaj shtëpie.
Preferojnë të pijnë kafe Frappé, të shëtisin në sheshin “Aristotelous”, të vizitojnë qendrat mega kapitaliste, e të bëjnë check-in që po shkelin në Selanik, për t’i kënaqur dushmanat si dhe egot e tyre të pakonceptushme, pa e ditur historinë e vërtetë të këtij qyteti.
Ironia më e madhe është se historia jonë i njehë shumë pak edhe tregtarët shqiptar Mehmet dhe Ahmet Kapandzit, të cilët pak më larg se shtëpia e Hasan Pristinës i kanë pasur shtëpitë e tyre, të ndërtuara nga viti 1893-1895, me pamje nga deti.
Njëra nga shtëpitë e tyre ishte projektuar nga arkitekti i njohur Piero Arigoni. Shija e hollë për dekorimet e shtëpive shihet shumë bukur edhe në shtëpinë e Hasan Prishtinës por edhe te vëllezërit Kapandzit. Kjo e fundit është totalisht e harruar edhe nga qeveria e Greqisë e mos të flasim për qeveritë shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Në vitin 1917, në njërën prej shtëpive ka qëndruar disa muaj edhe Esat Pash Toptani. A e dini se në Selanik jetojnë edhe nipat e mbesat e Avni Rustemit? A e dini se në vitin 1908, në Selanik kanë qëndruar Çerçiz Topulli, Bajo Topulli dhe Mihal Grameno? Në Selanik disa vite ka jetuar edhe Ismail Qemali.

Duke mos dashur të futem në historinë e shqiptarëve të Selanikut, por për shqiptarët Selaniku shkruhet në kujtesën e hidhur kolektive dhe këtë duhet ta dijë gjithësecili.
Në 150 vitet e fundit në Greqi, racizmi dhe histeria antishqiptare greke vazhdon të jetë frikë dhe kompleks i psikikës së trembur greke nga zbulesa e historisë së vërtetë, ndërsa sot Shqypni, pa m’thuej si je?

Çka kemi mësuar nga kjo?

Selanikun e kam si shtëpi të dytë dhe e kam shumë vështirë të jap shpjegime racionale për sjellje kaq mosmirënjohëse të individëve shqiptarë, më duhet shumë mund që të kuptoj shtratin kulturor, moral, kombëtar dhe mikro-shoqëror që prodhon individë që nuk janë në gjendje të vetëdijësohen për veprimet e tyre që dëmtojnë, mbase në mënyrë të pariparueshme interesin kombëtar, e kam të pamundur që nga këndi im të kuptoj mënyrën, logjikën e selekitmit të rëndësisë, të prioriteteve që kanë të bëjnë me interesin kombëtar, më krijon shumë dilema dhe dyshime teksa përpiqem të kuptoj vlerësimin se çka mund të jetë më e rëndësishme për pjesëtarët e një kombi, në këtë kohë kur merren vendime për fatin e tij për një periudhë të gjatë kohore, e kam përfundimisht tepër të rëndë të jap përgjigje se kush jemi?!
Shtëpia e Hasan Prishtinës në Selanik është vetëm një indikator që tregon se populli shqiptar në të ardhmen do të jetë i rrezikuar, jo më prej fqinjëve lakmitarë, por prej vetvetes, prej mundësisë reale të përçarjes së brendshme, duke shkatërruar gjithçka çka ka ndërtuar.

Për në fund, tjetër herë kur ta rikujtoni Hasan Pristhtinën për datëlindjen e tij ne formën më cinike siç dini ta bëni ose të tjerët që dërgojnë lule te busti, mundohuni këtë kontribut ta bëni në shtëpinë e tij ose te rruga “Tsimiski”, ku u vra në Selanik.

Leave a Comment

Your email address will not be published.