150 vjetori i lindjes dhe 90 vjetori i rënjës së atdhetarit, intelektualit, diplomatit e burrshtetasit shqiptar Hasan Prishtina, i kishte mbledhur të premtën pasdite intelektualë, profesorë, krijues, gazetarë e nxënës të The British School of Kosova për ta nderuar këtë figurë gjigante. E ideuar nga shkrimtarja Naime Beqiraj dhe mbajtur në teatrin “Faruk Begolli” në AAB, në këtë ngjarje u mbajtën fjalë rasti dhe u shfaq një film dokumentar.
Drejtori i The British School of Kosova Lulzim Tytynxhiu në fjalën e tij Hasan Prishtinën e quajti figurën më përfaqësuese e Rilindjes Shqiptare. “Ideator dhe aksionar i Pavarësisë së Shqipërisë, ai mbeti mbrojtës dhe kërkues i përhershëm i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Jugosllavisë së parë përmes Komitetit Mbrojtja. Hasani dha gjithçka për atdheun duke mos kërkuar asgjë në këmbim, dhe ky është përkufizimi maksimal i njeriut idealist”. Ndërkaq profesori i historisë Azdren Shala, Hasan Prishtinën e konsideroi nga ato figura të rralla të historisë i cili idealizmin e jetoi çdo ditë, pavarësisht situatave që impononin konformizëm. “Prandaj ai është progresisti i madh falë kontributit të të cilit, u bë e mundur pavarësia e Shqipërisë. Nëse sot brezave të rinj u duhet një shembull se di duhet vendi e shoqëria, padyshim ai është modeli që ndoqi Hasan Prishtina. Simbol i rezistencës e shëmbëlltyrë për të gjithë, tek ai gërshetohet guximi për të vepruar dhe qartësia e njeriut të penës. Njeriu që gjithë jetën e tij i vuri në harmoni bukurinë e ëndërrimeve dhe vrazhdësinë e jetës, ai i pajtoi shumë mirë aksionin me mendimin. Kështu, ai përveç kontributit të madh në krijimin e Shqipërisë reale, ai krijoi edhe një tjetër imagjinare, të tejkohshme e cila do tu shërbente shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë Londineze, çdoherë e sa herë kishte nevojë për mobilizim, shëmbëlltyra e tij kishte efekte mobilizuese”.
Filmi “Gjurmëve të Hasan Prishtinës” është vepër e gazetarit nga Tirana Genc Ymeraj, ndërkaq është xhiruar në Prishtinë, Tiranë, Selanik, Shkup, qytete e lokalitete të tjera shqiptare, ndërkaq në film flasin intelektualë e historianë: Shefqet Hoxha, Luan Zyka, Hasan Bello, Mehmet Prishtina, Skender Asani e Xhavit Llashi.
Dokumentari u mirëprit nga të pranishmit, me theks të veҁantë nga nxënësit duke krijuar interaksionin emocional e njerëzor, sepse përmbajtja që përçon ky film aktivizon tek të rinjtë sensin për të shijuar vlerat nga e kaluara përmes artit. Fjala është për një projekt dokumetar- artistik, që synon të ushtrojë ndikim në dy rrafshe: në rrafshin informues dhe në atë edukues. Duke u bërë bashkë këto dy komponente, dokumentari mbetet pjesë e vlefshme e kujtesës së tyre – si diçka me vlerë që do të ketë nevojë sërish të përsëritet në mbamendjen e të rinjëve si vepër mjaft e vlefshme për zhvillimin e personaliteteve dhe karaktereve e të rinjëve.
Ky aktivitet që u mbajt sot është i pari që organizohet në shenjë të 150 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të rënjës së Hasan Prishtina./KultPlus.com