“Përveç projektit ambicioz për hekurudhën Durrës-Prishtinë, dhe ndërtimit të Portit të Thatë të Durrësit në Prishtinë, rrugës Prizren-Tetovë dhe asaj Pejë-Rozhajë, me të cilat do t’i forcojmë lidhjen e komunikimin me të tri shtetet, jemi të vendosur që të përfundojmë edhe projekte të tjera madhore brenda Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në konferencën “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet” tha se qytetet dhe ambientet në të cilat jetojmë, janë produkt konkret i mendjes dhe i dorës së njeriut.
Ai tregoi më tej se urbanizmi i ri, me premisat e tij për të ndërtuar qytete më të qasshme, më të jetueshme, më funksionale e me më shumë vlera estetike është ndër përpjekjet bashkëkohore për të ndërtuar qytete që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën.
“As natyrën pa njeriun dhe as njeriun pa natyrën, po të dyjat bashkë e jo në kurriz të njëra tjetrës”, tha ai.
Kreu u ekzekutivit përmendi edhe projektet ambicioze si ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, Portin e Thatë të Durrësit në Prishtinë, rrugët Prizren-Tetovë, etj.
“Më tej, përveç projektit ambicioz për hekurudhën Durrës-Prishtinë, dhe ndërtimit të Portit të Thatë të Durrësit në Prishtinë, rrugës Prizren-Tetovë dhe asaj Pejë-Rozhajë, me të cilat do t’i forcojmë lidhjen e komunikimin me të tri shtetet, jemi të vendosur që të përfundojmë edhe projekte të tjera madhore brenda Kosovës. Me mbi 60 milionë euro të ndarë vetëm për vitin 2023 synojmë t’i vazhdojmë punimet e t’i përfundojmë pjesën më të madhe të tyre në Autostradën e Gjilanit, rrugën Prishtinë-Podujevë, Dollc-Gjakovë, Kievë-Zahaq dhe Prishtinë-Mitrovicë. I gjithë ky investim do të ketë një ndikim direkt në lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, dhe rrjedhimisht edhe në zhvillimin e qëndrueshëm”.
Ai po ashtu njoftoi se në 35 komuna të Kosovës apo 92% të komunave tashmë e kanë të përfunduar apo miratuar Planin Zhvillimor Komunal si dokumentin më të rëndësishëm strategjik e zhvillimor të nivelit lokal.
“Sa i përket dokumentit tjetër me rëndësi që është Harta Zonale Komunale, gjithsej 8 komuna nga 38 apo 21% tashmë e kanë miratuar Hartën Zonale Komunale; 24 komuna të Kosovës janë në hartim e sipër të këtij dokumenti të rëndësishëm, ndërkaq vetëm 6 komuna tjera ende nuk e kanë filluar procesin”.
Kurti tha më tej se përmes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, jemi duke bërë lehtësira për të përshpejtuar procesin, veçanërisht përmes thjeshtimit të procedurave të mbikëqyrjes dhe dhënies së pëlqimeve të nevojshme. Digjitalizimi i tërë këtij procesi është një komponentë e rëndësishme, të cilën synojmë ta arrijmë deri në mes të vitit 2024.
“Kur jemi tek digjitalizimi, po ashtu nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kemi kompletuar dhe përditësuar Databazën Kombëtare Gjeohapësinore, ndërkaq synojmë që deri në fund të vitit 2024 të gjitha komunat e Kosovës t’i kenë të krijuara dhe të kompletuara databazat gjeo-hapësinore lokale. Për këtë qëllim tashmë janë ndarë 400 mijë euro”, tha kryeministri.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës njoftoi se Qeveria ka miratuar edhe vendimin për hartimin e Planit të ri Hapësinor të Kosovës, i cili do të reflektojë edhe vizionin tonë për zhvillim të qëndrueshëm, koheziv e të balancuar.
Sipas tij, aktualisht është duke u punuar në përpilimin e hartave të rrezikut nga përmbytjet dhe hartave të rrezikshmërisë së përmbytjeve.
Kurti njoftoi se përveç miratimit të Strategjisë për Ndryshimet Klimatike, kanë miratuar edhe propozim-vendimin për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike.
Gjithashtu, ai tha se kanë miratuar programin e projektit Flows, projekt tejet i rëndësishëm për zvogëlimin e humbjeve në rrjet dhe zhvillimin e digave në Kosovë si dhe tashmë siç njoftoi Kurti është përfunduar studimi i fizibilitetit për projektin e banueshëm e të përballueshëm.
“Bashkë me krijimin e databazës për energji solare, kemi siguruar lokacionin për një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë, ‘Solar4Kosovo’. Ky investim me vlerë 64 milionë euro parashihet t’i shtojë sistemit të ngrohjes së Prishtinës rreth 70 MW kapacitet, nga i cili do të përfitojnë rreth 60 mijë banorë. Kemi përfituar më shumë se 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave. Të dy projekte do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat po ballafaqohet Kosova.
Bashkë me përfundimin e procesit të identifikimit të deponive ilegale në Komunat e Kosovës, është përfunduar edhe aplikacioni i Sistemit Informativ të Mbeturinave.
“Kemi përfunduar dhe publikuar dokumentin ‘Tipologjia dhe Performanca Energjetike e Ndërtesave të Banimit në Republikën e Kosovës’ në mënyrë që ta rrisim efiçiencën dhe kursimin e energjisë në Kosovë e posaçërisht të asaj elektrike. Pra jetesa dhe banesa janë gjithashtu në fokus të të gjitha këtyre projekteve zhvillimore që ne i bëjmë, në mënyrë që edhe ato të mos jenë në kurriz të njëra tjetrës, por të jenë shtylla të ekosistemit të zhvillimit dhe progresit tonë”./ Monitor.al