HISTORIA E PRONËS SË ISH-HOTEL VICTORY, TË CILËN SHTETI E DËRGOI NË SHPRONËSIM E BEDRI SELMANI NË ARBITRAZH

Ndonëse Qeveria e Kosovës mori sot vendim për shpronësimin e pronës ku ndodhen “Hotel Victory” dhe “Auto Prishtina”, fati i kësaj prone të uzurpuar nga ish-deputeti i PDK-së, Bedri Selmani, do të vendoset nga Gjykata e Arbitrazhit.

Selmani e ka dërguar shtetin në Gjykatën e Arbitrazhit lidhur me këtë pronë, të cilën e kishte mbajtur të uzurpuar që nga viti 1999.

Lajmin e ka bërë të ditur sot ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë mbledhjes së qeverisë. Ai kërkoi që qeveria të mos marrë vendim përfundimtar për shpronësim derisa të merret një vendim nga Gjykata e Arbitrazhit.

Edhe përkundër kërkesës së Tahirit, qeveria e miratoi propozimin preleminar për shpronësim.

E, teksa çështja e ish-hotelit të uzurpuar ka përfunduar në Arbitrazh, Insajderi sjell historinë e kësaj prone; pronë në të cilën është përfshirë Azem Syla dhe ku PDK-ja mbante thuajse të gjitha aktivitetet e saja.

Bedri Selmani ishte vendosur në pronën e ish-hotelit Victory me vendimin e Azem Sylës në vitin 1999, sa ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme që drejtohej nga Hashim Thaçi.

Paraprakisht, objektet e ndërmarrjes Auto Prishtina ishin përdorur nga Ministria e Mbrojtjes, deri në kohën kur UNMIK-u kishte shpërbërë këtë qeveri që nuk njihej ndërkombëtarisht.

Veprimtaria kriminale në pronën e shtetit

Veprimtaria kriminale e Azem Sylës në këtë hotel përmendet edhe në aktgjykimin kundër grupit të Azem Sylës. Aktgjykimi i formës së prerë thotë se arma Scorpion me të cilën ishte vrarë Ibush Kllokoqi verën e vitit 1999, i ishte dhënë Fahredin Gashit nga një person që ndodhej në veturën në të cilën ndodhej edhe Azem Syla.

Shumë vjet më vonë, shteti po pretendon që nga kjo pronë të fitojë para, fillimisht duke e dhënë me qira e më vonë duke e shitur.

Dëbimi është bërë pasi uzurpatori Bedri Selmani ka humbur të gjitha betejat për ta mbajtur të pushtuar edhe më tej hotelin “Victory”.

Uzurpatori Selmani ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe zëvendësministër dhe këshilltar i Hashim Thaçit, aktualisht president i Kosovës.

Objekti që ka adaptuar për hotel është nxjerrë në shitje nëpërmjet procesit të likuidimit.

Pavarësisht uzurpimit dhe mbajtjes në mënyrë të paligjshme të pronës, Selmani kishte kërkuar nga AKP-ja që ti kompensoheshin investimet në hotel. Këto pretendime janë hedhur poshtë.

Në AKP kanë thënë se Autoriteti i Likuidimit i kësaj ndërmarrjeje shoqërore ka komunikuar me shkrim me ndërtuesin e Hotelit të cilit ia ka bërë të qartë se prona është shoqërore dhe se Agjencia do ta trajtojë atë konform Ligjit dhe Rregulloreve të aplikueshme të AKP-së, pas formimit të Bordit të Drejtorëve.

“Autoriteti i Likuidimit i kësaj ndërmarrjeje e ka shqyrtuar dhe e ka refuzuar kërkesën e parashtruesit, i cili pretendonte të drejta pronësore mbi asetet e NSh-së, duke kërkuar kompensimin e investimeve të pretenduara”, ka thënë AKP-ja.

Ish-këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi, në Qeverinë e Përkohshme të pasluftës, e kishte pushtuar pas lufte një hapësirë të madhe toke shoqërore si dhe një objekt të cilin e ka kthyer në hotel. Ai nuk është bindur që ta lëshojë pronën, pavarësisht vendimeve të Gjykatës. Të gjitha pretendimet e tij janë hedhur poshtë edhe Gjykata Kushtetuese të Kosovës.

Padia e Bedri Selmanit

Në vitin 2007 Bedri Selmani nëpërmjet një padie ka kërkuar që shuma prej 1,21946.22 t’i paguhet “Auto Prishtinës”- “Auto Kosovës” në mënyrë që t’i njihet e drejta e pronësisë në fondet e investuara në objektin shoqëror “Autoservis”.

Ai kishte kërkuar që 1,036,994.32 t’i paguhet hotelit dhe restorantit “Victory” në mënyrë që t’i njihet e drejta e pronësisë në fondet e investuara në ndërtimin e objektit të hotelit privat; njohjen e së drejtës së Autoprishtines-Autokosova në përdorimin e tokës ku gjendet “Autoservisi”; njohjen e se drejtës se hotelit dhe restorantit “Victory” në përdorimin e tokës ku gjendet hoteli “Victory”; shpallja e se drejtës së prioritetit të Autoprishtines-Autokosoves për blerjen e objektit në pronësi shoqërore dhe tokës ku gjendet “Autoservisi” dhe deklaratën e se drejtës se prioritetit të hotelit dhe restorantit “Victory” për të blerë tokën në pronësi shoqërore ku gjendet hoteli “Victory”.

Ndërkohë Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, kishte ushtruar mbrojtje dhe kundërpadi në emrin e vet dhe në emër të Ndërmarrjes Shoqërore. Dhoma e Posaçme më 30 mars 2009 ka refuzuar padinë kundër Ndërmarrjes Shoqërore “Auto Prishtina” si të pabazuar të ushtruar nga Selmai si dhe kërkesën për vendim-ndalim të përkohshëm kundër AKM-se.

Kishte refuzuar po ashtu edhe kundërpadinë e AKM-së si të papranueshme.

Më 15 maj 2009, Selmani kishte ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të trupit gjykues, të 30 marsit 2009. Më 13 tetor 2011, Kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme refuzoi ankesën si të pabazuar dhe vendosi të vërtetojë Aktgjykimin e Trupit Gjykues të 30 marsit 2009 dhe e ndryshoi aktgjykimin e Trupit Gjykues duke shtuar fjalinë vijuese: “padia e hotelit dhe restorantit ‘Victory’ është refuzuar si e pabazuar”.

Më 30 janar 2012, parashtruesi paraqiti kërkesë Prokurorit te Shtetit për mbrojtjen e ligjshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit për Ankesa.

Më 2 shkurt 2012, Prokurori i Shtetit ka shkruar se “nuk ka gjetur asnjë bazë ligjore për parashtrimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë”./Insajderi.com


Leave a Comment

Your email address will not be published.