Hitleri, Musolini dhe Stalini – tre artistët e dështuar!

Shpesh harrohet që Hitleri, Musolini dhe Stalini kanë qenë artistë të dështuar, artistë që braktisën gjithçka, dhe atë talent që patën e përdorën për të krijuar botën e terrorit. Në rininë e tij Hitleri ushtroi pikturën, Musolini iu përkushtua romanit, ndërsa Stalini nisi të merrej me poezi. Musolini, më pas, në një intervistë thotë: “Në politikë suksesi varet nga aftësia për t’i zotëruar masat si një artist”

Nga Javier Melendez Martin

Për të kuptuar diktatorët artistë dua t’ju kujtoj një sekuencë të serisë “Empire”, ku Lucious Lyon, muzikant, krijues dhe drejtues i një kompanie diskografike, urdhëron njerëzit e tij për të hequr qafe një rival, duke u thënë: «Vriteni. Me shumë zhurmë dhe bëjeni të vuajë», dhe, duke u larguar, buzëqesh dhe thotë me vete: «Pastaj, unë do ta qi vajzën tënde të vogël».

Pra, ky Lucious Lyon na kujton se edhe një artist nuk paska ndonjë “ndjeshmëri të veçantë”, të paktën jo ndaj njerëzve. Në një sekuencë tjetër Lucious kompozon një këngë të bukur dhe tejet të ndjeshme, pastaj, pa iu dridhur dora shtie mbi një mik të vjetër dhe urdhëron t’i shkaktojnë një vdekje plot vuajtje. Ai, për ta mbajtur kompaninë nën kontrollin e vet të plotë, nuk heziton t’i bëjë të vuajnë edhe vetë fëmijët e tij, të cilët janë ortakë dhe me pjesë të barabarta me të. Dhe, pas çdo veprimi të tillë, ai shfajësohet duke thënë: «Muzika është e vetmja gjë që më intereson». Në njëfarë mënyre, frazë që përshtatet me thënien e Faulkner-it: «Një artist është një krijesë plot shtysa demoniake… që është i aftë të vjedhë, të marrë borxh, të lypë apo të grabitë gjithçka që i duhet për të realizuar veprën e tij». Ndërsa te romani i tij “The Sound and the Fury”(“Gjëmimi dhe tërbimi”) Faulkner tregon se artisti i varfër vjedh ose lyp për të blerë letër dhe penel apo një makinë shkrimi. Por nuk flet për mostrën që braktis artin dhe punon për kultin e vetes.

Gazetari argjentinas Huan Hose Sebreli (Juan José Sebreli) në librin e tij “Aventurat e pararojës: Arti modern kundër modernitetit” shkruan për Hitlerin dhe Musolinin: «Lideri karizmatik ka tipare psikologjike të ngjashme me ato të aktorit; te të dy këta ka një sfond personaliteti histerik, duke kuptuar si të tillë nevojën shtrënguese për të joshur të tjerët, pa përjashtim, gjatë gjithë kohës, dhe për t’ia kushtuar jetën kësaj çështjeje».

MUSOLINI, PASIONANT I TEATRIT

Sebreli, po ashtu, na kujton se: «Musolini kishte shkruar një roman anti-katolik (“Dashnorja e kardinalit”), një dramë mbi Napoleonin (“Campo di Maggio”), disa ese politike dhe ca faqe me kujtime. Musolini, Duçja triumfues, ishte një poet i dështuar, që vazhdoi të vepronte si politikan artist».

Çdo fjali e Musolinit, kur flet përpara popullit, na kujton ato të një aktori teatri, i cili i shoqëron fjalët, në masë të ekzagjeruar, me gjeste dhe lëvizje të duarve dhe të krahëve, për të tërhequr vëmendjen e publikut. Ky diktator nuk harronte se fjalimet e tij do të shfaqeshin në ekranet e kinemasë – aso kohe, mjeti propagandues më efektiv – dhe ai e dinte mirë forcën që kishte ekrani.

HITLERI, DREJTOR ORKESTRE

musolini, si gjithë romancierët, i jepte rëndësi të madhe fjalës. Ndërsa Hitleri, si piktor, ishte i kushtonte kujdes skenografisë dhe dritës, ndriçimit, në veprimtaritë publike. Si admirues i Vagnerit, «Hitleri arriti që, në fjalimet e tij, të imitojë ritmin, kohën, e uverturës “Mjeshtrit këngëtarë të Nurembergut”, opera e tij e parapëlqyer», thotë Sebreli.

«Fjalimet e tij, simfonike për nga ndërtimi, përfundonin në një apoteozë, ku, njësoj, si në muzikë, shpërthejnë trombonë vagnerianë», shkruan biografi i Hitlerit, Ernst Hanfstaengl.

Tomas Man, i cili ikën nga Gjermania naziste dhe boton revistën antifashiste “Mass und Wert” (“Vendim dhe guxim”), qe i pari që e konsideron Hitlerin si artist: «Oh, artisti! Pse, a nuk mund ta konsideroj si një fenomen artistik, sado i dhimbshëm qoftë? […] i ka të gjithë elementët: pamjen e “personit të vështirë”, përtacinë, papërshtatshmërinë, qenien e një bohemi të klasës së ulët, si shoqëror dhe moral; ka arrogancën e vetëbesimit shumë të tepruar për çdo veprim të rëndomtë të tij, është i pushtuar nga intuita e paqartë se ai është i ruajtur për diçka më shumë […]». Në këtë fragment të esesë “Vëlla Hitleri”, Tomas Man e portretizon Hitlerin si një artist mediokër: një artist që rrethohet nga artistë të tjerë dështakë.

NAZISTËT, NGA ARTISTË TË DËSHTUAR NË GJENOCIDALË

«Hierarkët nazistë, në pjesën më të madhe, i përkisnin lumit bohem të artistëve dhe shkrimtarëve të dështuar, të cilët gëlonin nëpër kafenetë e Vjenës dhe birraritë e Munihut», shkruan Sebreli. Ja çfarë thuhet për Gebelsin në një artikull të Mar Abad-it: «Ai filloi të punonte si gazetar dhe të shkruante novela dhe vepra teatrale. Por ambicia e tij letrare dështoi dhe në vitin 1933 përfundoi në drejtimin e Ministrisë së Propagandës dhe të Ilustracionit Publik». Kjo shpjegon pse Gebels ishte «një nga ekspertët më të mëdhenj në përshkrimin e botëve imagjinare», sipas Hose Maria Kerol (José María Querol).

STALINI, POETI I SPASTRIMEVE

Stalini, që persekutoi dhe spastroi shkrimtarët në B.S., fillon si poet që boton poezi të njohura në “Iveria”, një revistë letrare prestigjioze në Rusinë cariste. Por e lë poezinë për politikën. Gjithsesi, Stalini ishte një orator i keq. Ai ishte gjeorgjian dhe kishte probleme me gjuhën ruse, që ishte gjuhën e tij të dytë. Përballë kishte Trockin, si një pasues të mundshëm të Leninit, i cili ishte një orator brilant, një intelektual i mirëfilltë dhe organizator i Ushtrisë së Kuqe. Por Stalini, me epërsinë dhe aftësinë për të bërë intriga partie, fiton mbështetjen e nevojshme dhe merr pushtetin. Që nga ai moment, demonët që e shtyjnë Stalinin e çojnë në krijimin e KGB-së që e përndjek Trockin deri në vrasje.

Për Stalinin, arti mbetet dhuratë, me të cilën kontrollon prodhimtarinë kinematografike, ku aktorët interpretojnë vetë Stalinin. (Filma që, më së shumti, do të shpjegonin entuziazmin e madh që ngjalli Stalini).

DIKTATORËT, ARTISTË TË DYSHIMTË

Hitleri, Musolini dhe Stalini… më shumë se artistë të dështuar qenë artistë të dyshimtë, të paqëndrueshëm. Në qoftë se Hitleri do të kishte vazhduar shkollën e Arteve të Vienës, do të ishte një subjekt interesant për një vepër ukronía (roman i Historisë alternative). Megjithatë, është një rrethanë që fajëson profesorët, të cilët nuk e pranuan Hitlerin, sepse kishte më shumë kandidatë të talentuar. Nëse Hitleri do të kishte qenë i zellshëm, ndoshta mund të kishte fituar jetën me kuadro për dhomën e ndenjes. Arti është plot me autodidaktë. Publiku nuk i kërkon kredenciale artistit: ai kërkon që ta argëtojë, t’i mësojë gjërat në një mënyrë zbavitëse.

Le të kthehemi te seriali “Empire”. Lucious Lyon nuk është një dështak, si diktatorët e lartpërmendur. Por, gjithsesi, ka njëfarë ngjashmërie me ta: mizoria e tij rritet duke u larguar nga muzika dhe duke u zhytur në biznes. Ne e dimë se largimi nga ajo që na sjell kënaqësi mund të na irritojë tej mase, derisa të na bëjë edhe të dhunshëm. Në rastin e artistëve, krijesa të nxitura nga demonët, emocionet mund të shpërthejnë. Demonët e tyre duhet të përmbahen brenda kuadrit të të shkruarit apo të instrumentit. (gazeta shqip)

Leave a Comment

Your email address will not be published.