Një person ka mbetur i vdekur dhe të dy të tjerë të plagosur, si pasojë e një konflikti që ka ndodhur në fshatin Baks të Skenderajt.
Sipas burimeve,merret vesh se Besim Musliu i cili mbeti i vrarë ishte nga diaspora. Ndërsa dy të plagosurit tjerë janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Doktoresha kujdestare në QKUK, Dafina Basholli, theksoi se gjendja e të plagosurve është stabile
“Gjendja e dy të plagosurve që kanë ardhur nga Skenderaj është stabile, derisa do të lëshohen së shpejti në shtëpi”, është shprehur Basholli.
“Njëri nga të plagosurit ka plagë në këmbë, teksa tjetri në pjesën abdominale”, shtoi ajo.
Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës ka dalë me komunikatë të zgjeruar lidhur me vrasjen që ka ndodhur sot në fshatin Baks të Skenderajt.
Sipas policisë së Kosovë në rast janë përfshirë disa persona dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri janë plagosur tre persona, dy prej tyre janë dërguar në QKUK për trajtim, ndërsa njëri si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka humbur jetën.
Policia e Kosovës gjithashtu ka njoftuar se personi i dyshuar që është dorasi ka kërkuar tretman mjekësor në QKMF në Drenas, ndërsa thuhet se është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar për përfshirjen në rast.
Policia ka sekuestruar dy armë: Një armë automatike AK-47 dhe një pushkë gjuetie.
Ky është njoftimi i plotë:
Sot më, 23 Korrik 2022, policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Baks të Skenderajt Me të pranuar informacionin, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet kompetente policore.
Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se në rast ishin përfshirë disa persona, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri tre persona ishin të plagosur. Dy persona ishin dërguar për tretman mjekësor në QKMF-Skenderaj, ku njëri prej tyre si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit kishte humbur jetën dhe mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij ndërsa i plagosuri tjetër është transferuar për tretman mjekësor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) në Prishtinë.
Ndërkohë policia është njoftuar se një person tjetër kishte kërkuar tretman mjekësor në QKMF në Drenas dhe pas trajtimit fillestar mjekësor, në shoqërim të policisë është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në SHSKUK dhe është nën përcjelljen e policisë pasi që sipas informatave fillestare mund të jetë i dyshuar potencial në këtë rast. Gjithashtu është arrestuar edhe një person tjetër dhe do të intervistohet në cilësinë e personit të dyshuar për përfshirjen në këtë rast.
Njësia e hetimeve Rajonale ka kryer bastisje në dy lokacione dhe ka sekuestruar dy armë: një armë automatike AK-47 dhe një pushkë gjuetie. Njësia e Hetimeve Rajonale së bashku me prokurorin e shtetit janë në vendin e ngjarjes ku është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Është publikuar fotografia e viktimës së vrarë në Baks të Skenderajt.
Siç raporton media lokale veriu.info, mbrëmë në Baks u vra Besim Musliu. Në media u raportua se 47-vjeçari i vrarë ishte nga diaspora. Lidhur me rastin janë konfiskuar një AK 47 dhe një pushkë gjuetie.
Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.