Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës kanë organizuar tryezë diskutimi me temë “Luftimin e Ekonomisë Joformale: Fiskalizimi në Fokus”. Ekonomia joformale u cilësua si kancer për ekonominë e shtetit për faktin dhe se po ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillim.
Ende një numër i madh i bizneseve në Kosovë vazhdojnë të mos jenë të fiskalizuara, e që për pasojë shkalla e informalitetit në Kosovë mbetet e lartë.
Kështu u tha gjatë diskutimit mbi domosdoshmërinë̈ e përfundimit të procesit të fiskalizimit dhe luftimit të ekonomisë joformale, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës në tryezën me temë “Luftimin e Ekonomisë Joformale: Fiskalizimi në Fokus”.
Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka ka treguar se shpesh herë raportohet që një numër i madh i bizneseve vazhdojnë veprimtarinë e tyre duke mos qenë të fiskalizuara.
Për këta, Zeka ka kërkuar nga ATK dhe institucionet përkatëse që të krijohen kushtet për një mjedis të barabartë në treg.
Po kështu edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi theksoi se anëtarët e OEK kërkojnë vazhdimisht që të trajtohet informaliteti.
“Bizneset e ndershme janë të interesuar që ketë rregull, formalizim, dhe trajtim të barabartë për të gjithë në treg. Nuk mund të luftohet informaliteti vetëm me gjoba dhe ndëshkime, por edhe nxitje të fiskalizimit edhe ne vendet nder urbane ku funksionojnë bizneset”, tha Rukiqi.
Në anën tjetër drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha në bazë të vlerësimeve rreth 31 për qind është shkalla ekonomisë së zezë, ndërsa 29 për qind shkalla e ekonomisë së hirtë.
“Për që kemi ekonomi informale kemi, shohim se ka laramani të zbatimit të ligjeve nga ana e bizneseve. Nga fillimi i pandemisë e këndej fatkeqësisht është rrit numri i bizneseve që nuk zbatojnë ligjet në tërësi. Në bazë të të dhënave 36 mijë bizneseve janë të fiskalizuara, Fatkeqësisht nuk e dimë zyrtarisht numrin e bizneseve të pa fisklaizuara”, është shprehur Murtezaj.
Ai ka apeluar prej të gjithë konsumatorët që të kërkojnë kuponin fiskal nga ana e bizneseve.
Ndërsa, Valon Jahaj nga Shoqata e operatorëve të autorizuar për PEF theksoi se në bazë të dhënave nga Ministria e Financave llogaritet se mbi 10 mijë biznese janë të pa fiskalizuara.
Kurse, Driton Krasniqi, drejtor në kompaninë “Emona”, theksoi rëndësinë e këtij diskutimi sidomos në fushën e sektorit privat.
“Informaliteti shkakton shumë dëm sepse është e pamundur të kontrollohen këto programe. Arsyeja e informalitetit mund të gjendet në shumë sfera, duke cekur këtu edhe vetëdijen e ulët të bizneseve, po ashtu bizneset e vogla që nuk deklarohen si pasojë e frikës se mbesin me një buxhet të vogël”./ Revista MONITOR
Informaliteti në Kosovë shumë i lartë, vetëm 36 mijë biznese të fiskalizuara