Ish-ambasadori amerikan në Bullgari, James Pardew, ka thënë se administrata e Donald Trump ka një qasje tjetër ndaj Kosovës.
Sipas tij, administrata e Bill Klinton dhe administrata e George Bush, kanë promovuar demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës gjatë kohës që ajo është zhvilluar gjatë viteve 1999 e deri në 2008, por më ndryshe është ajo e Trump.
“Administrata e Trumpit është krejtësisht ndryshe nga këto dy administrata, dhe sinqerisht kjo administratë nuk e ka përvojën diplomatike dhe është e tillë që të godet nën brez, në vend se të mendojnë dhe konsiderojnë detajisht se çfarë masash duhen ndërmarrë”, tha ai.
“Nëse shohim se çka ka bërë administrata e Trumpit, ata kanë bërë dëme të jashtëzakonshme në ndikimin amerikan në politikën e jashtme dhe neve do të na duhen vite të tëra për të tejkaluar dëmin e madh që është shkaktuar”, ka shtuar ai në emisionin “Jeta në Kosovë”.
Sipas tij, Kosova nuk e ka obligim të ndjekë Amerikën, pasi është shtet i pavarur.
“Ballkani është thjesht një shembull i kësaj por unë mund të ofroj edhe shumë e shumë shembuj të tjerë. Mirëpo, Kosova nuk ka asnjë obligim që të shkojë (qorrazi) pas Shteteve të Bashkuara kur ato nuk janë duke ecur në rrugën e duhur. Ju jeni një shtet sovran”, ka thënë më tej ish-diplomati amerikan.