Ismail Qemali, jeta dhe vepra e babait të kombit shqiptar

Liridon Jollxhiu

Koha në të cilën lindi dhe jetoi, kultura dhe arsimimi që kishte, kalimi i një pjese të jetës në internim, titujt e ndryshëm dhe të herëpashershëm që i mori në shërbim të Perandorisë Osmane, njohja me personalitete të ndryshme, dashuria për vendin e tij të lindjes dhe, para së gjithash, kujdesi që t’i shërbente lirisë dhe pavarësisë së atdheut – i dhanë Ismail Qemalit aftësinë që të arrinte më lehtë ta realizonte aspiratën aq fortë të dëshiruar të popullit të tij, ngritjen e flamurit kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
T’ia japësh dorën dikujt në hallet e tij të veçanta dhe të shumta është një vepër e çmueshme. Por, edhe më e vlefshme se kaq është kur ia jep dorën një populli, aq më tepër kur pjesë e të cilit je edhe vet, dhe i ndihmon të shpëtojë nga vuajtjet shekullore dhe të fitojë lirinë e tij.

Për veprën e tij patriotike në shërbim të atdheut, Ismail Qemali u bë njëkohësisht njeriu më i lavdëruar dhe më i luftuar në historinë e Rilindjes shqiptare.

Sipas zakonit në Shqipëri, shumë njerëz në mërgim merrnin emrin e fshatit apo qytetit prej nga ishin për mbiemër, kështu edhe familja e Ismail Qemalit mbante për mbiemër emrin e qytetit prej nga ishin-Vlora. Themelues i familjes Vlora është Sinan Pasha nga Kanina, i cili në shek. XVI, pasi zuri postin e vezirit të madh, zbriti në Vlorë në cilësinë e Kapedan Pashës ose Kryeadmiralit të Flotës.
Ismail Qemali lindi në Vlorë më 24 janar 1844, në qytetin, në të cilin 68 vjet më vonë do ta shpallte pavarësinë e atdheut të tij. Babai i tij ishte Mahmut Beu dhe nëna Hedije Hanëmi. Më 1839 u shpall Hati Sherifi i Gjylhanesë, që hapi periudhën e reformave të njohura me emrin Tanzimat. Kundër këtyre masave, popullsia organizoi kryengritje antiosmane. Kryengritja u shtyp dhe osmanët filluan të arrestonin qytetarët, ndër ta edhe babanë dhe xhaxhanë e Ismail Qemalit. Më vonë u urdhërua internimi i gjithë familjes së tij: nënës Hedije Hanëmi, vëllanë, motrën dhe vetë Ismail Qemalin (që të tre fëmijë) dhe gjyshen e tyre plakë. Ata kaluan tre vite internim në Selanik. Aty i vdiq vëllai.

Në Selanik, Ismail Qemali nisi shkollën fillore dhe e mësoi turqishten. Pastaj sulltani i fali të internuarit. Ata u kthyen në Shqipëri, ku Ismail Qemali mësoi italishten nga një emigrant. Kur i vdiq gjyshja, e ëma e mori Ismailin dhe shkuan ne Selanik. Aty ai filloi mësimet në gjimnazin Zosimea, ku mësoi në greqishten e vjetër dhe në latinisht. Në maj 1860, I. Qemali la Janinën dhe shkoi në Stamboll. Aty filloi punën si përkthyes në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pastaj i vdiq motra dhe ai u detyrua të kthehej në Janinë, ku punoi si zv/drejtor i punëve politike deri më 1864. Në këtë vit u martua me një vajzë nga Janina (Nasip Hanëmi, e cila vdiq bashkë me vajzën pas lindjes). Në 1867 u martua me një greke, Kleoniqi Surmeli, me të cilën pati katër vajza dhe gjashtë djem. Disa nga funksionet që i ushtroi I. Qemali në Perandorinë Osmane janë: përkthyes në MPJ, kryesekretar në Bagdad, prefekt i Dobruxhës, president i Komisionit Evropian të Danubit, deputet etj. ndërsa refuzoi këto poste: të ishte ambasador i Perandorisë në Angli, ministër i Jashtëm, ministër i Brendshëm, kryetar i Parlamentit etj.

Mitat Pasha më 1877 u emërua Vezir i Madh. Një nga idetë e tij ishte që ta krijonte një vilajet të Shqipërisë, dhe për këtë ra ndesh me sulltanin, i cili e shkarkoi nga puna dhe derisa po e dërgonin syrgjyn, ai u arratis. I. Qemali, për shkak të masave të rrepta që u morën ndaj shefit të tij të adhuruar, dha dorëheqje. Më 1877 ai u internua në Kutahia (Anadoll). Izet Pasha, valiu i Brusës, erdhi për inspektim në Kutahia dhe ndërhyri te sulltani për ta liruar Ismail Qemalin. Më 1884 I. Qemali u lirua pas shtatë vitesh qëndrimi në internim.

Pasi u kthye në Stamboll, Ismail Qemali u emërua qeveritar në Bolu, ku mori vesh për vdekjen e Mitat Pashës. Për të, ndër të tjera, thotë: ”…Ishte ndoshta i vetmi burrë shteti turk që nuk kishte paragjykime kundër kombësive të tjera dhe nuk i dha kurrë privilegje elementit zotëronjës”. I lodhur nga veprimtaria e gjerë që zhvilloi në Bolu, erdhi në Stamboll për të dhënë dorëheqje dhe të vazhdonte me jetën private. Por, për ta mbajtur nën kontroll, e detyruan të shkonte prefekt në Galipol, ku qëndroi dy muaj. Pastaj shkoi në Bejrut, ku u takua me Pashko Vasën.
Më 1892, ai u kthye në Stamboll, ku sulltani i kërkoi raport mbi reformat në perandori dhe politikën që duhej ndjekur. Ai i përshkroi sulltanit në një memorandum gjendjen e rëndë në perandori, reformat rrënjësore për të cilat kishte shumë nevojë perandoria dhe mënyrën se si duheshin ndërmarrë ato. Por, pasi sulltani sundonte si autokrat, pikëpamjet përparimtare të Ismail Qemalit ia shtuan më tepër urrejtjen sulltan Hamitit ndaj këshilltarit të tij liberal.
Largimi i Ismail Qemalit nga Turqia ishte fillimi i një periudhe të re, ku puna e tij patriotike del në rend të parë. Më 1 maj 1900, ai e la Stambollin dhe me një anije angleze arriti në Pire(Greqi). Aty takoi shumë patriotë shqiptarë dhe në takimet me autoritetet greke, kërkonte një koordinim me ta kundër Turqisë. Pastaj I. Qemali hartoi programin e tij që duhej të ndiqej për të shpëtuar Shqipërinë nga ndonjë tjetër fatkeqësi në të ardhmen. Pas Athinës, ai u nis në një udhëtim nëpër vendet e Evropës, për të gjetur përkrahës për çështjen shqiptare. Aty-këtu gjeti ndonjë personalitet që e përkrahte, por ata ishin thjeshtë përkrahës dhe nuk kishin në dorë vendimmarrjen në shtetet e tyre. Xhonturqit planifikonin të mbanin një kongres për të diskutuar mbi situatën e Turqisë. Aty ftuan edhe Ismail Qemalin. Sulltani, përmes Muexhidin Beut i kërkoi I. Qemalit opinionin e tij se qka duhet bërë në këtë situatë kritike? Padyshim, ai iu përgjigj shumë qartë sulltanit:duhej shpallur konstitucionin, veprim të cilin sulltani e bëri pas dy ditësh. Veziri i Madh, Qamil pasha, i kërkoi I. Qemalit të kthehej në Turqi, por ky nuk pranoi derisa mori garanci se do të anulohej vendimi kundër tij. Kur po kthehej nga Evropa, së pari u ndal në Shqipëri si kandidat për deputet në Parlamentin Osman. Ai fitoi shumicën e votave dhe në nëntor 1908 arriti në Stamboll ku pa se xhonturqit kishin fituar fuqi shumë të madhe. Në kuvend u zgjodhën 25 deputetë shqiptarë dhe u bashkuan me opozitën liberale, ku formuan partinë “Ahrar”. Kryeministër u zgjodh Hysen Hilmi Pasha nga xhonturqit dhe ndër të pakëtit që votuan kundër ishte I. Qemali dhe deklaroi se ai nuk ishte “as me turqit e vjetër e as me turqit e rinj, po për Shqipërinë”.
Në fillim të vitit 1909 u ashpërsua lufta në mes sulltan Hamitit dhe xhonturqëve. Të dy krahët u përpoqën të siguronin përkrahjen e I. Qemalit. Sulltani e thirri atë dhe i tha se tanimë ai ishte bindur për ta ruajtur rendin e ri, dhe Ismail Qemali u tregoi deputetëve për bisedën dhe garancitë që mori nga sulltani. Kjo qetësi zgjati vetëm dy javë, pasi Mahmut Shefqet Pasha me një pjesë të ushtrisë, i nxitur nga xhonturqit, iu drejtua kryeqytetit. U lëshua urdhërarrestim për Ismail Qemalin dhe atij si mbet gjë tjetër pos të shpëtonte kokën. Më 17 prill 1909 u nis nga Stambolli në Evropë, por pas pak kohësh u rikthye në punimet e kuvendit. Por, intrigat dhe shpifjet e xhonturqve për të nuk u ndalën. Ai madje pati një përplasje me një deputet xhonturk (njëfarë Dr. Ismeti) që kishte shpifur në gazetë për të. Në pranverë 1911 Ismail Qemali shkoi në Cetinë për t’u takuar me malësorët që ishin arratisur në Mal të Zi. Me iniciativën e tij, më 23 qershor u mbajt një mbledhje në Gërqe, ku u bë një memorandum me kërkesat e shqiptarëve. Prej aty, I. Qemali u nis në Evropë. Në dhjetor 1911, në Stamboll u takuan patriotët shqiptarë, ku vendosën të organizojnë një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri që do të niste në Kosovë. I. Qemali u ngarkua të shkonte në perëndim për të siguruar armë, ndërsa Hasan Prishtina u dërgua në Kosovë për të filluar përgatitjet. Prej mesit të prillit 1912, kryengritja vazhdoi pa ndërprerje. Më 17 korrik 1912 xhonturqit dhanë dorëheqje. Më 6 shtator 1912, I. Qemali shkoi në Stamboll për të kërkuar të drejtat e popullit shqiptar. Në këtë kohë ishte krijuar Aleanca Ballkanike për t’i shpallur luftë Turqisë. Edhe pse I. Qemalit iu ofrua një ministri nga Veziri i Madh, ai e refuzoi dhe u nis për në Shqipëri, për ta mbrojtur çështjen shqiptare me fillimin e luftës ballkanike.
Para se të nisej për në Shqipëri, I. Qemali u bëri vizita klubeve shqiptare që mendonte se mund ta shoqëronin për në Shqipëri. Në udhëtimin triumfal për në atdhe stacioni i parë ishte Bukureshti, ku kishte një koloni të madhe shqiptare. Prej atje, i njoftoi të gjitha krahinat që të dërgonin delegatët për në Vlorë, duke thënë se tani erdhi momenti për shqiptarët që ti realizonin aspiratat e tyre. Ministri i jashtëm austriak Berhthol i dha një anije për në Shqipëri. Pasi Vlora ishte e bllokuar nga flota greke, ata zbritën në Durrës. Turqit kishin dhënë urdhër që të arrestohej I. Qemali, dhe ata u detyruan të kalonin udhë e pa udhë nga balta e Myzeqesë dhe në fund arritën në Vlorë. Vlora i priti delegatët në festë. Kuvendi i filloi punimet më 28 nëntor në ora 14:30. Të gjithë delegatët vendosën njëzëri që “Shqipëria që sot të bëhet më vete e lirë dhe e pavarur”. Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në ballkonin e ndërtesës ku mbahej kuvendi. Pastaj u formua qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësia e kryesuar nga Vehbi Agolli. Pas kësaj, I. Qemali u dërgoi kërkesa për njohje Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinje si dhe filloi punën për të ngritur strukturat e para shtetërore, ekonomike e ushtarake, aq sa kishte mundësi për kohën dhe rrethanat në të cilën gjendej.
Asnjë nga fuqitë e mëdha nuk i dha dorën Shqipërisë në këto qaste kritike dhe kjo u pa mirë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër që filloi punimet në 17 dhjetor 1912. Fuqitë e huaja caktuan princin Vid si princ të Shqipërisë. Ismail Qemali u detyrua të jap dorëheqje dhe pushteti i kaloi KNK-së. I. Qemali shkruante ndër të tjera se: “Me disa ngjarje të hidhura në disa anë që janë bërë nga interesi vetjak, harmonia qeveritare është turbulluar. Për këtë, bëra një demarsh para fuqive të mëdha dhe i kërkova atyre ta merrnin qeverisjen deri sa të vije mbreti i Shqipërisë. Shokët i dhanë disa dhjetëra napolona për t’i mbuluar shpenzimet e udhëtimit. Nga Vlora shkoi në Nisë. Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, ai shkoi në Barcelonë. Në fillim të vitit 1917 u kthye në Paris. Edhe nga mërgimi, ai nuk e ndali veprimtarinë patriotike në shërbim të atdheut, për të cilin kishte bërë aq shumë gjatë gjithë jetës. Pastaj, i thirrur nga qeveria e Romës ai u nis për në Itali. Në Peruxhia i erdhi urdhri të pres aty pasi kryeministri dhe ministri i jashtëm nuk ishin në kryeqytet. Aty e kuptoi se e kishin thirrur për ta izoluar në Itali.
Një ditë i kishin përgatitur një konferencë për gazetarë. Pas buke hyri në sallën ku e prisnin korrespodentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur dhe i lëkundur, nisi të belbëzojë dhe të mos i lidhte dot fjalët. Ai ishte helmuar. Ismail Qemali vdiq më 24 janar 1919. Kufomën e mbajtën në Peruxhia për dy javë kinse do ta balsamosnin dhe e nisën për në Vlorë më 9 shkurt. Në fakt, ata i kishin hequr të gjitha organet e brendshme që të mos i linin asnjë shenjë në rast autopsie. Kur u zbulua kufoma e tij në Kaninë që të varrosej në Vlorë, nuk i kishte mbetur shenjë balsamimi dhe ishte gjysmë e dekompozuar. Në shtypin shqiptarë herë pas here janë bërë kritika, shpesh të ashpra jashtë masës, për veprimtarinë e Ismail Qemalit. Por, në këtë rrugë të gjatë, të mundimshme dhe me plot rreziqe, nuk do të kishte njeri që nuk do të bënte ndonjë gabim. Atdhedashuria, aftësia, largpamësia dhe liberalizmi i tij në njërën anë dhe koha dhe rrethanat në të cilat veproi ai, në anën tjetër, e vënë Ismail Qemalin në krye të shtyllës së figurave tona kombëtare, krahas asaj të Skënderbeut. Ai jetoi plot 75 vite, por vetëm 14 muaj nga këto i kaloi në atdheun e tij të lirë. Qysh kur ishte fëmijë e syrgjynosën bashkë me familjen larg Shqipërisë, duke pasur fatin e hidhur si të Thimi Mitkos, Pashko Vasës, Jani Vretos, Vëllezërve Frashëri e patriotëve të tjerë. Për ta përshkruar me pak fjalë jetën dhe veprimtarinë e tij, lirisht mund të themi se Ismail Qemali ishte njeriu i duhur, në kohën dhe vendin e duhur, atëherë kur më shumë se çdo herë tjetër Shqipërisë i duhej një burrështetas që punon me vetëmohim dhe largpamësi për të mirën e vendit. I tillë ishte Ismail Qemali!

Leave a Comment

Your email address will not be published.