Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi i ka dorëzuar dje drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut (ITSHKSH), dr. Skënder Asanit Vendimin për shfrytëzimin e përhershëm të objektit në të cilin vepron ky institucion. Bëhet fjalë për objektin e njohur si ish-Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bulevardin “Ilinden”, në Komunën e Karposhit, ku ITSHKSH-ja është e vendosur që në vitin 2010, shkruan gazeta KOHA. Me sigurimin e objektit Instituti jo vetëm që zgjidhet njëri prej problemeve madhore sa i takon çështjes së pronësisë, por mbyll përfundimisht edhe çështjet e hapura pronësore juridike me të cilat ballafaqohej që prej themelimit të saj, në nëntor të 2007-ës. Pra, ITSHKSH-ja edhe “de facto” edhe “de jure” bëhet me objekt të vetin ku tani e tutje do të mund të zhvillojë aktivitetet kërkimore-shkencore pa ngarkesën e deritanishme të problemeve pronësore-juridike.
Vendimi për shfrytëzimin e përhershëm të objektit (me aktualisht rreth 700 metra katrorë hapësirë e brendshme) në godinën tanimë të përhershme të ITSHK-së, u soll në njërën prej mbledhjeve të fundit të Qeverisë, atë të datës 26 mars 2019, me propozim të ministrit të Arsimit. I njëjti objekt tashmë është i evidentuar në Kadastrën e Republikës të Maqedonisë së Veriut me Fletë pronësie nr.52896.
“Zgjidhja e çështjes pronësore-juridike shënon një moment të ri zhvillimi në funksionimin 12 vjeçar të ITSHKSH-së, pasi posedimi i fletës së pronësisë do të hap edhe mundësi të reja zgjerimi dhe akomodimi për këtë institucion me rëndësi të veçantë për shqiptarët e të Maqedonisë së Veriut. Me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë, prej vitit 2018 ky institut ka njohur edhe zgjerime të tjera në aspektin e programeve studimore, themelimin e departamenteve të reja, punësimin e bashkëpunëtorëve dhe punonjësve shkencor, si dhe të mbështetjes financiare. Me buxhetin e vitin 2019 për ITSHK-në janë ndarë 24 milion denarë e që shënon buxhet thuajse dhjetëfish më të lartë krahasuar me vitet e kaluara”, thonë në MASH. Ndryshe, për nevojat e funksionimit më të mirë, realizmin sa më cilësor të Programit të punës dhe krijimit të kushteve më të mira kadrovike, gjatë vitit 2018 MASH arriti të sigurojë 10 vende të reja pune për ITSHKSH-në.