Kadri Shala emri më i përfolur i këtyre ditëve ka vendosur që të flas për ngjarjen që bëri bujë të madhe e që ka të bëjë me 2,1 milionë eurot që nga Thesari i shëtit, u transferuan në llogarinë e kompanisë së tij “LDA – Group”.
Ai ndodhet jashtë Kosovës, por ka shkruar një letër të cilën e ka dërguar në adresë të Gazetës Express përmes vëllait të tij.
Në këtë letër që mban datën 24 tetor 2020, Shala ka treguar historinë se si ka përfunduar një shumë kaq e madhe e parave nga buxheti i shtetit në llogarinë e firmës së tij.
“Diku rreth orës 3 kam shkuar në bankomat të TEB Bankës në Prizren për t’i tërhjekur një shumë të mjeteve për nevojat e mija personale nga llogaria e firmës të cilës jam përfaqësues, LDA Gruop, pasi në llogari kam pasur mjete të mjaftueshme afërsisht 20 000 euro. Në atë moment kam vërejtur se shuma në llogari ishte mbi vlerën të cilën e kam pasur.
Nga ai moment kam menduar se kam pranuar mjete nga kompanitë me të cilat kam punuar por nga përmbaruesit të cilët i kam angazhuar për kompanitë të cilat më kanë obligime”, shkruan Shala në letrën e tij.
“Dhe kështu kam menduar që t’i fshij obligimet që i kam ndaj personave fizik dhe juridik gjegjësit firmave që u kam pasur obligim”.
Më tutje Shala që është në kërkim nga policia e Kosovës, ka thënë se familjarët e tij që janë përmendur nga mediat nuk kanë qenë në dijeni për veprimet e tij.
“Të dashura media, këtu asgjë politike nuk ka mirëpo përfshirja e familjes sime, fëmijëve të mi të cilët as nuk kanë qenë në dijeni apo s’kanë kurrfarë lidhje me rastin, përfshirja e personave juridik dhe fizik ka qenë e tmerrshme, jo etike pa e ditur saktësisht thelbin”.
Në këtë rast Shala u ka kërkuar falje familjes dhe të gjithë atyre që janë etiketuar.
“Shfrytëzoj rastin t’i kërkoj falje familjes, fëmijëve dhe të gjithë atyre të cilët i kanë etiketuar e që nuk kanë pasur njohuri rreth situatës”.
Në fund kësaj letre themeluesi i kompanisë LDA – Group, ka paralajmëruar dorëzimin në polici.
Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera.
Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze.
Mësohet 261 mijë euro të tjera janë tërhequr në para të gatshme në banka nga pronarët e LDA Group Sh.P.K: Valon dhe Kadri Shala.
Rreth 400 mijë të tjera dyshohet se janë bllokuar në xhirollogaritë e kompanisë, në të cilën u realizuan katër pagesa ilegale në emër të Ministrisë së Infrastrukturës.
Përpos tërheqjes në formë kesh dhe elektronike të 266 mijë e 572 eurove nga xhirollogaritë e firmës, Valon e Kadri Shala kanë transferuar 26 mijë euro në xhirollogarinë e Klubit Futbollistik “KF Gryka e Llapushnikut” – një klubi të shuar futbolli, të cilin e kishte drejtuar Kadri Shala disa vjet më parë.
Dy pronarët e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K. ndodhen në arrati që nga e marta. Atë ditë, Policia e Kosovës arrestoi Labinot Grudën, zyrtarin e Thesarit të Shtetit, i cili dyshohet për transferet ilegale në vlerë prej mbi dy milionë eurove.
Por, jo vetëm këta tre persona qëndrojnë prapa skemës së vjedhjes dhe shpërndarjes së milionave të zhdukur nga Thesari.
Gazeta Insajderi ka zbuluar se skema e vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit implikon edhe njerëz të lidhur me politikën, një kompani të huaj me bazë në Turqi dhe biznesmenë të tjerë të profilit jo të lartë.
Brenda ditëve të para pas vjedhjes nga Thesari i Shtetit, shumica e mjeteve janë transferuar nga LDA Group SH.P.K në llogaritë e 13 kompanive të tjera private dhe 4 personave fizik.
Po ashtu gazeta ka zbuluar rrjedhën e parave të cilat dëshmojnë se 340 mijë euro janë transferuar nga llogaria e kompanisë LDA Group SH.P.K në adresë të kompanisë turke, “Vekoç Makina Insaat”. Janë kryer dy transaksione: njëra në vlerë prej 215 mijë eurove dhe një tjetër në vlerë prej 125 mijë eurove.
“Vekoç Makine – Vekoç Makina Insaat” është një kompani e regjistruar në Tuzla, një lagje e cila ndodhet në kufirin lindor të Stambollit.
Pronari i kësaj kompanie, e cila merret me aktivitetet e përpunimit dhe prodhimit të betonit, rezulton të jetë Vehbi Koç.