“IuteCredit” e dërgon në Arbitrazh shtetin e Kosovës

Kosova shumë shpejt do të përballet në Gjykatën e Arbitrazhit pasi është paditur nga institucioni mikrofinanciar IuteCredit.Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim që t’ua marrë licencën institucioneve mikrofinanciare IuteCredit dhe Monego. Ky vendim ka ardhur pasi  kjo  kompani që operonin në Kosovë ka shkelur vazhdimisht rregullat e operimit.

Lajmin e ka bërë të ditur, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, gjatë një takimi që ka pasur me guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, i cili ka shprehur shqetësimin e tij rreth dërgimit të lëndës në arbitrazh nga IuteCredit kundër shtetit të Kosovës, ku në fund të vitit të kaluar kishte marrë vendim për ndalimin e aktivitetit të këtij institucioni.
Selimi ka thënë se Ministria që ai udhëheq do t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për këtë çështje.

“Bashkë me Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, Sami Istrefi pritëm në takim guvernatorin Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i cili shprehi shqetësimin e tij, rreth dërgimit të lëndës në arbitrazh nga IuteCredit për shtetin e Kosovës. Për këtë çështje, guvernatorin Mehmeti e sigurova që Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Drejtësisë do t’i ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për këtë çështje”, ka shkruar Selimi në Facebook.

Ai më tej shton se Avokati i Shtetit kërkon që sa më shpejt të merret vendimi për procedurat në mënyrë që afatet ligjore të Arbitrazhit të mos e ndëshkojnë Kosovën.

“Askush nuk mund të përfitojë duke dëmtuar qytetarët, por as duke shkelur ligjin që është në fuqi”, ka shtuar ministri.

Kurse, Banka Qendrore e Kosovës përmes një njoftimi për media ka treguar se  guvernatori i Fehmi Mehmeti është takuar me Ministrin e Drejtësisë, SelimSelimi dhe Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, Sami Istrefi.

“Në këtë takim Guvernatori Mehmeti shprehu interesimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës lidhur me procesin e arbitrazhit që ka të bëjë me rastin e IuteCredit ndaj shtetit të Kosovës. Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti shprehu interesimin rreth përzgjedhjes sa më të shpejtë të përfaqësuesit ligjor, me qëllim të mbarëvajtjes sa më të mirë të këtij procesi”.

Guvernatori Mehmeti siguroi Ministrin Selimi për gatishmërinë dhe përkrahjen e pa rezervë nga ana e BQK-së, me qëllim të përfundimit me sukses të këtij procesi.

Nga ana tjetër, sipas këtij njoftimi  ministri i Drejtësisë siguroi se janë marrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjor për këtë̈ çështje.

Ministri Selimi ka thënë se kjo Ministri bashkë me Avokatin e Shtetit kanë kërkuar që sa më shpejt të merret vendimi për procedurat në mënyrë që afatet ligjore të Tribunalit të mos na ndëshkojnë.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim që t’ua marrë licencën institucioneve mikrofinanciare IuteCredit dhe Monego.

Përmes një komunikate për media, “Iute Credit” ka thënë se vendimi i BQK-së ka dëmtuar rëndë punëtorët të cilat janë paguar nga ky institucion.

“Vendimi për revokim të licensës së IuteCredit, jo vetëm që dëmton IuteCredit Kosovo por njëkohësisht dëmton rëndë mbi 80 punëtorë, të cilët kanë qenë të punësuar dhë kanë marr paga mujore nga IuteCrediT”, thuhet në komunikatë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.