Policia e Kosovës, në një aksion mbështetës me Doganën e Kosovës ka konfiskuar edhe 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave. Deri më tani janë konfiskuar mbi 300 pajisje të tilla. Sipas Ministrisë së Financave nga konfiskimi i tyre janë kursyer mbi 50 mijë euro, kurse prodhimi i tyre ka shpenzuar rrymë sa 500 shtëpi.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas aksioneve ku janë konfiskuar pajisje për prodhimin e kriptovalutave, ka deklaruar se janë kursyer mbi 50 mijë euro.
Pra sipas ministres, vetëm nga aksioni i ditës së diele që ndodhi në mëngjes u kursyen 50 mijë euro.
“Mbi 50,000 euro në muaj para të taksapaguesve të kursyera vetëm nga ky aksion. Falënderoj të gjitha institucionet, e në veçanti Policinë e Kosovës, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm”, ka shkruar Rizvanolli.
Ka reaguar edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka pohuar se 272 pajisjet e konfiskuara në Leposaviq, shpenzojnë energji elektrike sa mesatarisht 500 shtëpi.
Murati ka shkruar në Facebook se kjo nënkupton që pajisjet shpenzojnë energji elektrike në vlerë prej 60 mijë deri në 120 mijë euro në muaj.
“272 pajisje Antminer janë konfiskuar sot në mëngjes në një operacion të Doganës dhe Policisë, në pjesën veriore të vendit. Këto pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kWh energji elektrike, apo sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive. Me çmimet aktuale të importit, i bie 60,000-120,000 euro/muaj. Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”, ka shkruar Murati.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndalojë prodhimin e kriptovalutave në mbarë vendin pas krizës energjetike. Vetëm dje Policia e Kosovës sekuestroi mbi 300 pajisje për prodhimin e kriptovalutave në të gjithë vendin.
Policia e Kosovës, në një aksion mbështetës me Doganën e Kosovës, në Leposaviq ka konfiskuar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
Aksionin fillimisht e njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se do të ketë edhe aksione të tjera.
“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të pajisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj pajisjesh dhe u arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, u deklarua ai.
Pajisjet e njohura si ANTMINER, të cilat shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave, shquhen për shpenzim të konsiderueshëm të energjisë elektrike.
Sipas platformës ‘Amazon’, një pajisje ‘AntMiner S9’ shpenzon 1323W për orë. Policia vetëm nga ky model konfiskoi 128 copë, që në bazë të një përllogaritje, funksionimi i tyre përnjëherësh përbrenda një ore kushton afro 170 kW për orë. Për një ditë, nga këto pajisje shpenzohen 4080 kW.
Në raportin e Policisë thuhet se u konfiskuan edhe 117 copë Antminer S9 13.5T, ku një njësi e vetme shpenzon 1323W për orë. Në total, për një orë 117 pajisjet shpenzojnë 154 kW. Për një ditë, shpenzimi shkon në afro 3,700 kW.
Qytetarët e Kosovës, në bazë të matjeve të nëntorit, paguajnë çmimin me të ulët në rajon për energjinë e shpenzuar elektrike. Për një kilovat në orë, ata paguajnë rreth 6 centë.
Në bazë të këtij çmimi, për 24-orë, 245 nga 272 pajisjet e konfiskuara në veri shpenzojnë rrymë në vlerë prej afro 500 eurosh.
Së fundmi, Kosova është duke u përballur me krizë energjike, pas rritjes së çmimit të importit të energjisë elektrike. Autoritetet kanë miratuar masa emergjente për energji.
Në kuadër të këtyre masave, Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.
Aktiviteti për prodhimin e kriptovalutave ishte shtrirë së fundi në pjesën veriore të Kosovës për shkak se në atë pjesë, qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike. Sipas institucioneve të Kosovës, rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. /Revistës Monitor