Katër qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritete serbe në vitin që lamë pas. Arrestimet e tyre kishin të bënin me arsye të ndryshme, kryesisht të lidhura me luftën në Kosovë. Të arrestuarit gjatë vitit 2020 ishin: Nezir Mehmetaj, nga fshati Rudnik,Komuna e Klinës, Agim Gjocaj, nga fshati Baballoq, Komuna e Deçanit, Blerim Maqastena dhe Berat Maxhuni nga Komuna e Podujevës.
Lidhur me këto arrestime, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të cilët kanë deklaruar se në bashkërendim me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, kanë përcjellur nga afër secilin rast të ndalimit, mbajtjes në paraburgim apo arrestimin e shtetasve kosovarë nga autoritetet serbe.
“Për secilin prej rasteve ministrja Haradinaj-Stublla, është interesuar personalisht dhe ka kërkuar drejtësi për ta. Publikisht ajo ka dënuar aktet e tilla, duke theksuar se janë në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel në vitin 2011, dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Washingtonit për Normalizim Ekonomik. Haradinja Stublla për secilin rast të të arrestuarve ka udhëzuar Misionin e Posaçëm në Serbi që të jenë në komunikim dhe kontakt të vazhdueshëm më familjet e atyre personave.Gjithashtu ka ofruar ndihmë juridike për angazhim të avokatëve, në rast nevoje.Përmes vizitave nga diplomatët e MPJD, jemi informuar çdo herë për trajtimin e tyre në burg, dhe për nevojat e tyre.Për të gjitha këto MPJD, saktësisht Zyra Ndërlidhëse në Beograd ka kontaktuar dhe informuar edhe ambasadat e vendeve tё rëndësishme tё akredituara nё Beograd, përfshirë ambasadën amerikane dhe Zyrën (Delegacionin ) e BE-së”, u tha në përgjigjen e tyre.
Gjithashtu u theksua se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka mbajtur në vazhdimësi kontakte në baza ditore me familjarët e personave të ndalur, dhe avokatët mbrojtës të cilët janë angazhuar në secilin rast.
Sipas MPJD-së këto veprime kanë të bëjnë me përpjekjen e Serbisë për të sabotuar Kosovën, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike, përmes propagandës së vazhdueshme raciste.
Nezir Mehmetaj ka mbi një vit që vazhdon të jetë i burgosur në Serbi, e sipas ministrisë rasti i tij ishte prioritet që nga dita e parë e arrestimit.
“Konkretisht, diplomatet e Misionit, menjëherë kanë filluar me angazhim nё rastin nё fjalё, respektivisht, komunikimin me familjen e z. Mehmetaj e pastaj edhe me vendosjen e komunikimit të rregullt me avokatin mbrojtës. Ndërkohë, diplomatët e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Beograd kanë aranzhuar vizitat e rregullta tek z. Mehmetaj, nё burgun ku po mbahet (Burgu Qendror/Centralni Zatvor) nё Beograd, gjatё tё cilave ёshtё informuar drejtpërdrejt nga z. Mehmetaj pёr kushtet e burgut dhe gjendjen shëndetësore dhe psikologjike tё tij. Ky aspekt ka qenë me relevancё tё posaçme pasi z. Mehmetaj vuan nga sёmundja e diabetit dhe përdorimi i terapisë përmes medikamenteve, tё dërguara nga familja përmes avokatit mbrojtës, ёshtё tejet i rёndёsishёm pёr të”, u tha në përgjigjen e MPJD-së.
Gjithashtu u theksua se deri tani, Mehmetaj është vizituar nga diplomatët e misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd, tetë herë.
“Ndërkohë, Misioni i Posaçëm në Serbi, ka kontaktuar vazhdimisht me ambasadat e vendeve tё rёndёsishme tё akredituara nё Beograd, pёrfshirё ambasadёn amerikane dhe Zyrёn (Delegacionin ) e BE-se, lidhur me rastin. Po ashtu, nga njё pjesë e tyre, si Ambasada e SHBA-ve dhe Zyra e BE-sё kemi pranuar përgjigje konkrete, me njoftimin se këto ambasada/misione janë tё njoftuar me rastin dhe do tё shqyrtojnë mundësitë qё tё ofrojnë ndihmën e tyre. Angazhimet e ngjashme te Misionit te Posaçëm te Kosovës ne Serbi janë bërë edhe ne raport me te arrestuarit tjerë, respektivisht, z. Gjocaj, z. Maxhuni dhe z. Maqastena, ku lidhur me rastin e secilit prej tyre janë mbajtur të njoftuar zyrat e Bashkimit Evropian, ambasadave të shteteve mike, përfshirë edhe komunikimin e rregullt me familjet e tyre, avokatët mbrojtës, vizitat me qendrat e paraburgimit (secili prej tyre është vizituar personalisht nga diplomatët e Misionit) dhe raportimin tek institucionet qeveritare të Republikës se Kosovës lidhur me zhvillimet rreth këtyre rasteve”.
Arrestimet e kosovarëve nga Serbia ishin të shpeshta edhe para vitit 2020, e shpesh herë të njëjtit përfunduan të burgosur për një kohë të gjatë nëpër burgjet e ndryshme të Serbisë.
Nuk dihet se deri kur do të vazhdojë kjo mënyrë e serbëve për ndalimin e shtetasve të Kosovës, por që padyshim shumë familjeve u shkakton dëme të mëdha, si dhe personave në fjalë ua jep edhe një periudhë mjaftë të vështirë jetësore.