NATO-ja siç ka bërë edhe herëve të mëparshme, njoftoi për këtë takim pa e përmendur se në çfarë cilësie e takonte shefi i kësaj organizate Kurtin. Mesazhi ishte se Stoltenberg takoi “njëfarë Albin Kurti të Kosovës”, si kishte takuar më parë edhe “Isa Mustafën e Kosovës” apo “Avdullah Hotin e Kosovës”
Nga Augustin PALOKAJ
Është pothuajse rregull e pashkruar që qeveritë e reja në shtete që synojnë anëtarësimin në BE, sapo të marrin mandatin, ta zgjedhin Brukselin si adresën e parë për vizitën e parë të jashtme. Në këtë mënyrë përçojnë mesazhin simbolikë për përkushtimin e tyre për integrime euroatlantike, për bashkëpunim me NATO -n, në aspektin e sigurisë dhe me BE-në në fushat e shumta.
Bëri kështu edhe Albin Kurti, i cili së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme, Donika Grvalla-Shwartz dhe Besnik Bislimin vizituan Brukselin. E nisën me kryeministrin e Belgjikës, shtetin e rëndësishëm të BE-së ku Kosova ka edhe Ambasadën e saj, e cila kryen punë edhe në raporte me BE-në, përkundër faktit se BE-ja dhe Kosova formalisht nuk kanë raporte diplomatike. Pastaj takon udhëheqësit e tri institucioneve kryesore të BE-së, përmes video-lidhjes, presidentin e Këshillit, Charle Michel, pastaj në takim të veçantë presidenten e Komisionit, Ursula von der Lyen, dhe më vonë edhe atë të Parlamentit Evropian, David Sasolli. Takoi edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
NATO-ja siç ka bërë edhe herëve të mëparshme, njoftoi për këtë takim pa e përmendur se në çfarë cilësie e takonte shefi i kësaj organizate Kurtin. Mesazhi ishte se Stoltenberg takoi “njëfarë Albin Kurti të Kosovës”, si kishte takuar më parë edhe “Isa Mustafën e Kosovës” apo “Avdullah Hotin e Kosovës”. E dimë se katër shtete të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën. E dimë se NATO-ja është organizatë e bazuar në vendime me konsensus. Por është qesharake, e madje edhe fyese të tallet ashtu shefi i një organizate e cila është aq thellë e futur në zemrat e kosovarëve. Stafi i shefit të NATO-s në këtë mënyrë po del edhe vetë qesharak, siç u pa edhe përmes një postimi të Misionin Amerikan në NATO ku ata u desh të sqaronin opinionin se Stoltenberg takoi “kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti”. Por edhe ai takim kishte rëndësinë e tij, sepse edhe Qeveria e re e ka bashkëpunimin me NATO-n dhe synimin për anëtarësim qëllim strategjik. (marrë me disa shkrtime nga Koha DITORE)