NGA: Mr. Mehmet Prishtina, Përfaqësues i trungut familjar Hasan Prishtina
PËR: z. Bujar Nishani, Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
- Edi Rama, Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë,
- Ilir Meta, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,
- Bashkim Dedja, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë
Prishtinë, 15. 01. 2014
Shkëlqesia Juaj,
Ju drejtohem me këtë letër, në emër të një grupi intelektualësh dhe akademikësh në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, me nismën për zhvendosjen e mbetjeve mortore të ish – Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë (1921), z. Hasan Prishtina.
Sot, 101 vjet nga pavarësimi i Shqipërisë dhe 81 vjet nga atentati kundër tij, nuk ka se si të mos i rikthehemi figurës së njërit prej arkitektëve kryesorë të shtet-krijimit shqiptar: atdhetarit, intelektualit, politikanit dhe patriotit të madh shqiptar, Hasan Prishtina. Kjo për arsye se konsiderojmë, që, pavarësisht se në drejtim të kësaj figure madhore është bërë diçka për të nxjerrë në pah rëndësinë dhe peshën e kontributit të tij, mbetet ende diçka për t’u plotësuar në raport me këtë figurë.
Në qarkun kohor mbi njëqindvjeçar, historia politike shqiptare njeh dy platforma politike kombëtare: “Shqipëria; ç’ka qenë, ç‘është dhe ç‘do të bëhet”, e rilindësit të madh Sami Frashëri, dhe “14 pikat” e Hasan Prishtinës. Atë, që më herët e kishte filluar Sami Frashëri me doktrinën e tij komb-krijuese, e kishte vazhduar Hasan Prishtina me platformën e tij shtet-krijuese. Nëse Sami Frashëri, mbetet ndër më të merituarit për orientimin ideologjik për Prizrenin e vitit 1878, Hasan Prishtina mbase është trasuesi i rrugës së pavarësisë së Vlorës 1912.
Ai mbetet nyja e një procesi shtetformues: i filluar në Prizren në vitin 1878; i vazhduar në Manastir 1908 dhe në Shkup më 1912; duke kulmuar në Vlorë në vitin 1912. Në këtë histori politike të re shqiptare, tri prej katër ngjarjeve madhore, që i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë, kishin ndodhur jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë së sotme politike. Vlora e 28 nëntorit të vitit 1912 ishte vetëm finalja e Prizrenit të qershorit të vitit 1878, e Manastirit të nëntorit të vitit 1908 dhe e Shkupit të gushtit 1912.
Jo rastësisht tri nga katër ngjarjet kyçe historike në procesin shtet-krijues shqiptar, kishin ndodhur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze: në Prizren, ku ishte inauguruar Lidhja Shqiptare si platforme e unifikimit politik kombëtar, në Manastir ku ishte inauguruar unifikimi gjuhësor përmes alfabetit unik të shqipes dhe në Shkup ku kryengritësit kosovarë kishin çliruar Shkupin nga Perandoria Osmane.
Duke përshëndetur nismën e mbledhjes së përbashkët në Prizrenin historik të dy Qeverive: të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, ju njoftojmë se më 14 tetor të vitit 2012 u vendos në Shkup shtatorja pesë metërshe, e njërit nga ideologëve kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare, Hasan Prishtinës.
Kjo shtatore në qendër të Shkupit u vendos një shekull pas burgosjes së Hasan Prishtinës nga Serbia; po në Shkup, në kryqendrën e vilajetit të Kosovës, ku ai planifikonte të shpallte autonominë e Shqipërisë.
Vendosja e shtatores së tij në Shkup një vit më parë, u përcoll me një sesion shkencor, në të cilin morën pjesë me kumtesa shkencore 48 studiues nga disiplina të ndryshme nga vendi dhe rajoni, kumtesa të cilat u përmblodhën në një botim të veçantë, me një vëllim prej mbi 500 faqesh.
Pas vendosjes së shtatores së kësaj figure emblematike kombëtare para ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina (28.11.2011) dhe asaj në qendër të Tiranës (25.11.2012), këshilli nismëtar i prirë nga Mehmet Prishtina,përfaqësues i trungut familjare “Hasan Prisihtina“, Prof. Dr. Blerim Reka Universiteti i Europës Juglindore, Dr. Skënder Asani, Kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptar të Maqedonisë, Prof. Asoc. Dr. Bujar Dugolli, Dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës „Hasan Prishtina“ dhe Dr. Arsim Sinani, Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, kërkojmë, që të vazhdohet ajo, që ishte nisur më herët nga qeveria e Republikës së Shqipërisë (1977), me bartjen e eshtrave të Hasan Prishtinës nga Greqia në varrezat e dëshmorëve në Kukës.
Vlerësojmë, se është koha, që mbetjet mortore të një Kryeministri të Shqipërisë, të barten në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë aty, ku e meriton, sipas një profili të lartë shtetëror.
Konsiderojmë, se ashtu siç u veprua me rastin e rivarrimit ceremonial dhe zyrtar të Mbretit Zog I në Tiranë, edhe ish-Kryeministrit Hasan Prishtina duhet t’i bëhen nderimet dhe respekti sipas protokollit shtetëror.
Gjithashtu, na lejoni t‘ju njoftojmë, se vitin e kaluar (13 Gusht.2013) për herë të parë pas 80 viteve të atentatit ndaj këtij kolosi kombëtar, një delegacion i përbashkët i tri kryqendrave shqiptare të botës akademike, (UP, UEJL dhe USHT) nën organizimin e SHHSHM dhe Kryetarit Dr. Skënder Asani dhe Mehmet Prishtina, bënë homazhe në shtëpinë e tij në Selanik (tani të shpronësuar), duke vendosur kurora lulesh, në vendin e vrasjes së tij, në kryqëzimin e rrugëve Tsimiskia-Vogatsikou.
Me gjithë respektin për aktin e shtetit shqiptar, që mbetjet mortore të ish-kryeministrit Prishtina të vendosen në Kukës, mendojmë, se ka ardhur koha, që eshtrat e tij të prehen në Kryeqytetin Shqiptar, Tiranë.
Me respekt,
____________________
Mr. Sc. Mehmet Prishtina
CEO/Founder
New Prishtina Residence
Str. Nëna Terezë, nr.25
10 000 Prishtina
Republic of Kosova
Tel.+ 377 45 88 88 72
Tel.+377 45 76 76 76
www.newpr.biz Email: info@newpr.biz dhe m.prishtina@newpr.biz