Kërkohet një rezolutë për gjenocidin serb në Kuvendin e Shqipërisë

“Përfaqësuesit e Shqipërisë të jenë zëri ynë, atje ku Kosova nuk mund të flasë, dhe të bëhet kërkesa për miratimin e rezolutës për njohjen e gjenocidit”. Këto kërkesa i kanë bërë përfaqësuesit e politikës kosovare delegacionit shqiptar, të përfaqësuar nga Mimi Kodheli, gjatë vizitës në Kuvendin e Kosovës.

 

E ftuar në studion e “Ditari”, në A2 CNN, nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci e konsideroi të rëndësishëm zërin e Shqipërisë.

“Politikëbërja e Shqipërisë të ketë një koordinim shumë të mirë me përfaqësuesit e Kosovës. Të jemi të koordinuar në kërkesat tona dhe përfaqësuesit e Shqipërisë të jenë zëri ynë atje ku ne nuk mund të flasim, si në NATO, ku Kosova nuk është anëtare me të drejta të plota, e ku Kodheli ka marrë detyrën e zv.presidentes së Asamblesë së NATO-s. E rëndësishme, të koordinohemi në zhvillimet e fundit dhe zëri i Shqipërisë në këto ditë është jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

Kosova kërkon nga Shqipëria miratimin në Kuvend të rezolutës për njohjen e gjenocidit të ushtruar në luftën e fundit. Sipas Nagavcit, miratimi i këtij dokumenti do të ishte një mbështetje e madhe.

“Biseduam për kërkesën tonë, që të mbështetej rezoluta që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, pranverën e kaluar, që kërkon njohjen e gjenocidit të ushtruar në luftën e fundit. Kjo rezolutë i referohet edhe legjislacionit ndërkombëtar. Miratimi i këtij dokumenti në Kuvendin e Shqipërisë do të ishe mbështetje e madhe. Kodheli na njoftoi për një nismë për themelimin e një komisioni për çështjet që po trajtohen në Hagë, por kjo ka të bëjë me një aspekt tjetër. Presim që të ketë shprehje të vullnetit në mënyra të ndryshme. Në momentin që ka vullnet do gjendet edhe forma më e mirë juridike për të arritur zgjidhjen. E rëndësishme të kemi një mbështetje nga Kuvendi i Shqipërisë”.

E pyetur për situatën aktuale politike në Kosovë, Nagavci u shpreh se qeverisja aktuale nuk po arrin të shtyjë as çështjet bazike, ndërsa theksoi se është i domosdoshëm legjitimiteti i institucioneve përmes zgjedhjeve të reja.

“Qeverisja aktuale në Kosovë që nga momenti i konstituimit ishte e kontestuar për shkak të legjitimitetit, për një deputet të dënuar dhe ndikimit të presidentit që ka kërkuar votën për qeverinë Hoti. Edhe me këto vota të kontestuara qeveria nuk po arrin të shtyjë as çështjet më bazike. Edhe në Kuvend, shumica nuk arrijnë të bëjnë më shumë se 40 vota maksimumi. Në këto rrethana, jemi të bindur që legjitimiteti i institucioneve përmes zgjedhjeve të reja është i domosdoshëm”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.