Lëvizja Vetëvendosje po synon që t’i bindë aleatët ndërkombëtarë se këshilli nacional i pakicave është alternativë e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Në partinë që qeverisin me vendin, thonë se ideja e tillë është ekuivalente me pakicat në vendet e rajonit dhe nuk e rrezikon funksionimin e brendshëm të Kosovës. Derisa, ritheksojnë pozicionin kundër themelimit të asociacionit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi thotë se kërkesa për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin vazhdimisht ka qenë qëndrim i ambasadave në Kosovë dhe nuk është risi presioni i fundit i tyre, por sipas tij, papërgjegjësinë e atëhershme të klasës politike do ta korrigjojnë.
“Kërkesa për zbatimin e asociacionit nuk është diçka e re, vazhdimisht ka qenë qëndrim i ambasadave në Kosovë, për fat të keq i papërgjegjësisë së klasës politike që është krijuar një realitet i cili neve na ra barrë për ta korrigjuar…Është e papranueshme që për funksionimin e mirëfilltë të brendshëm të Kosovës të instalohet një mekanizëm që funksionon si pushtet i tretë. Ai mekanizëm të jetë në kriterin etnik dhe ne nuk mund ta rrezikojmë funksionimin tonë të brendshëm duke u nisur nga përgjegjësia e paraardhësve tanë dhe veçanërisht tek insistimi i kërkesave serbe, që është kërkesa kryesore e Vuçiqit në këtë proces të bisedimeve. Ne duhet të punojmë shumë me miqtë tanë ndërkombëtar, me ambasada se implementimi eventual i kësaj ideje e defunksionalizon Kosovën”, thotë Abrashi.
Ai deklaron se fakti që kundërshtojnë asociacionin, nuk do të thotë që nuk kanë alternativë tjetër. Sipas tij, këshilli nacional për komunitete është zgjidhja e vetme për përfaqësimin e komunitetit serb dhe të tjerave në Kosovë.
“Fakti që ne kundërshtojmë diçka nuk do të thotë që nuk kemi alternativë. Prandaj prezantimi i kësaj ideje, i këshillit nacional për komunitete që jetojnë Kosovë, përfaqësojnë interesat dhe kërkesat e tyre, e që është ekuivalente në vendet e rajonit nuk e rrezikon de funksionimit e brendshëm të Kosovës. Këtu jemi për t’i shtyrë ato, por problemi i Asociacionit është dikur tjetër, Serbia nuk e shikon Asociacionin si mundësi për përfaqësimin e interesave të serbëve, por si mekanizëm bllokues dhe sabotues të shtetit të Kosovës. Prandaj kjo alternativë karshi Asociacionit mono-etnik është zgjidhja e vetme për përfaqësimin e komuniteteve serbe dhe të tjera në Kosovë”, deklaron ai.