Ish-polici serb, Nenad Arsiq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë u dënua nga Gjykata Themelore.
Po e presin atë që e njohin që një kohë të gjatë.
Janë këta të dëmtuarit e aksionit kundër popullatës civile shqiptare, që ndodhi në lagjen Emshir në Prishtinë nga forcat policore serbe në maj të vitit 1999.
Këtu ata po e presin shpalljen e aktgjykimit ndaj ish policit serb, Nenad Arsiq
Ky i fundit që u arrestua në pikë-kalimin kufitar në Merdare më 22 tetor 2019, nën pranga u soll në sallën e gjyqit.
Trupi Gjykues, në krye me gjykatësen Albina Shabani- Rama, gjetën të bazuara pretendimet e prokurorisë speciale që Arsiq kishte marrë pjesë në torturimin ç’njerëzor në aksionin e 21 majit të 99-tës.
Madje sikur kjo të mos mjaftonte, ky së bashku me disa pjesëtarë tjerë ende të paidentifikuar nga prokuroria, të njëjtën ditë kishin përvetësuar një pjesë të pasurisë së banorëve shqiptarë në lagjen “Emshir”
Për këto arsye, ish polici serb Nenad Arsiq, u dënua me 6 vjet burgim për veprën penale “Krime Lufte Kundër Popullsisë Civile”.
Pas përfundimit të seancës, të dëmtuarit nuk pranuan të deklarohen para mediave, me arsyetimin se nuk kanë çka flasin.
Por ai i cili kishte se çka të fliste para gazetarëve, është Dejan Vasiq, avokati mbrojtës i të dënuarit Arsiq.
Sipas Vasiqit, e vetmja gjë që ka mbetur si shpresë për drejtësi është Gjykata e Apelit, ku këta do ankohen brenda 15 ditësh.
Ndryshe Nenad Arsiq do vazhdojë paraburgimin deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, derisa atij do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 22 tetori 2019 e tutje.