KFOR-i ka thënë se është në kontakt me autoritetet e Serbisë që të marrë informacione se çfarë ka ndodhur me rastin e tre policëve të cilët dyshohet se u kidnapuan nga territori i Kosovës.
Në një komunikim për media, KFOR-i ka thënë se nuk është përfshirë në ngjarjen e sotme.
“KFOR nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme sa i përket tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe aktualisht është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar mbi atë çfarë ka ndodhur”.
Sveçla: Policët s’e dimë ku janë, jemi në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se policët e kidnapuar nga Serbia nuk dihet ku po mbahen dhe janë nën arrestin e institucioneve serbe. Ai vizitoi lokacionin ku policët u rrëmbyen të mërkurën në Leposaviq, teksa tha se janë duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtarë që “ajo të jetë e qartë për këtë veprim kriminal”.
Sipas ministrit Sveçla, Serbia duhet t’i kthejë sa më shpejt zyrtarët policorë, së bashku me pajisjet e tyre private dhe zyrtare.
BE-ja për kidnapimin e policëve: Jemi në kontakt me të dyja palët për të kuptuar se çka ka ndodhur
Bashkimi Evropian ka thënë se është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë, e gjithashtu edhe me KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth asaj se çfarë ka ndodhur të mërkurën në veri, ku janë kidnapuar tre zyrtarë policorë të Kosovës nga forcat serbe.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet që e tensionojnë edhe më shumë situatën në veri.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm”, ka thënë ai.
Forcat serbe kanë kidnapuar tre policë kosovarë brenda kufirit të Kosovës. Policia në ndërkohë ka shfaqur edhe një hartë nga vendi se ku dyshohet të jenë kidnapuar policët.
“Sot në mesditë në thellësi të territorit të Kosovës në zonën kufitare në veri dyshohet se njësitet speciale të Serbisë në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitarë patrullues. Ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe. Policia e Kosovës thekson se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë zyrtar në pikë statike në vendin e quajtur Bare, në territorin e Kosovës. Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyrat zyrtare që të parandalojnë veprimet ilegale, grupet kriminale të shfrytëzojnë rrugët ilegale, të parandalojnë mallrat dhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, ka thënë zëdhënësi I Policisë, Baki Kelani, në një konferencë për media.