KOLONELI SHKOZA VURI THEMELET E PARA TË USHTRISË SHQIPTARE

Selaudin Shkoza sipas arkivave (Dosja në AQSH) ka lindur më 1867 në katundin Shkozë, në një fshat afër Zhurit, në një familje të Lumës, me tradita të njohura në trevë e më gjerë për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Sipas dokumenteve arkivore, Islam Aga, stërgjysh i Selahudinit, si zejtar i njohur, herët u vendos me familje në qytetin e Prizrenit duke u njohur me mbiemrin Shkoza, emër i fshatit të tyre të lindjes.

Pikërisht, në qytetin e vjetër shqiptar të Prizrenit, Selahudinit iu dha mundësia të edukohet me traditat e brezave, si dhe të marrë shkollimin e parë. (ASH. Publikuar në “Gazeta Shqiptare”, 7 prill 1921). Ishte një nxënës i shkëlqyer, me temperament dhe i zgjuar. Për këtë shkak kryen Gjimnazin Ushtarak të Manastirit, më 1886, pastaj Akademinë e Artilerisë në Stamboll. Më pas, për disa vite, vazhdon shkollimin ushtarak për shtabe e kalorësi, po në kryeqytetin turk. Kështu, në përfundim u diplomua si akademik për Këmbësori, Artileri dhe Kalorësi.

Në ndihmë të aftësimit profesional të tij, është dhe fakti i zotërimit perfekt të disa gjuhëve të huaja, si turqisht, arabisht, frëngjisht, gjermanisht etj.
Karriera
Selahudin Shkoza, si ushtarak madhor, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, shërbeu fillimisht në Shtabin e Përgjithshëm, në Divizionin e Izmirit, përkatësisht Komandant i Divizionit Izmir-Ajvallëk. Ka shërbyer gjithashtu dhe në Dibër, Maqedoni, në Janinë, Prevezë, si dhe me detyra të larta në Selanik e Stamboll. Me ngjarjet e Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, si kryengritës, Selahudini largohet nga ushtria dhe inkuadrohet në lëvizjen përparimtare, me bindje se me fitoren e rendit të ri do të gjente më mirë veten e tij dhe do të jepte më shumë në dobi të çështjes kombëtare. Kjo kohë, sipas dokumenteve zyrtare, është ndër periudhat më aktive të tij, në shërbim të kombit shqiptar. “…

Në vjeshtë të vitit 1908, Selahudin Beu mori pjesë në Kongresin e Manastirit, përkrah figurave të shquara kombëtare, si At Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda etj., të cilët venduan Alfabetin e Gjuhës Shqipe, si akti më madhor i bashkimit dhe unitetit kombëtar shqiptar. Po atë vit, për vendosmërinë dhe përgatitjen e tij intelektuale, Selaudini zgjidhet Nënkryetar i Klubit të Bashkimit që u formua në Manastir”. ( ASH, cituar më sipër)
Në detyrën e Ministrit të Luftës
I ftuar të drejtojë qeverinë shqiptare, në janar 1921, ai pranoi detyrën e Ministrit të Luftës, në përbërje të qeverisë së Iljaz Bej Vrionit. Vlerësimi zyrtar i kohës është se nga burra shteti si Shkoza e ka zanafillën baza e një ushtrie të rregullt. “Ky qe një fat i posaçëm që menjëherë, në fillim, një burrë aq i vlefshëm si Selahudin Shkoza mori përsipër Ministrinë e Luftës.

Ai krijoi themelet e ushtrisë së atëhershme. (ASH, “Shqipëria më 1937”, Tiranë, 1938). Atë kohë, por veçanërisht më vonë, ai njihet me cilësorin si “Ministër Reformator”, si ideatori dhe organizatori reformues i mirëfilltë i Ushtrisë Kombëtare gjatë kohës që ish minister i luftes.

Leave a Comment

Your email address will not be published.