Kongresimeni amerikan që po ashtu është edhe kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka folur për takimin në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, e që njëkohësisht ishte ministër gjatë administratës së Sllobodan Millosheviqit, po e çon Serbinë drejt Rusisë, në vend që të punojë që shteti i tij të orientohet kah perëndimi.
Engel tha se është mirë të diskutohet dhe të lidhen marrëveshje ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, megjithatë problemin në mes këtyre shteteve, Engel e sheh si problem politik që kërkon zgjidhje politike.
“Presidenti serb Vuçiç, i cili po e çon vendin e tij larg komunitetit të Paktit Veriatlantik dhe më afër Rusisë, ka kundërshtuar vendosjen e njohjes reciproke në tryezë. Në fakt, delegacioni serb thotë se po vjen në bisedime vetëm për të diskutuar çështje ekonomike. Ndërkohë që nuk ka asgjë negative në lidhje me rritjen e tregtisë dhe zhvillimit ekonomik, ky është një konflikt politik i cili kërkon një zgjidhje politike”, është shprehur Engel.
Marrveshje të tilla, sipas mikut të shqiptarve Elliot Engel, duhej të kishin ndodhur tash e sa kohë. Tutje, ai thotë se zgjidhja përfundimtare e konfliktit duhet të jetë njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Rinisja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Uashington, DC është një zhvillim pozitiv. Konflikti midis dy vendeve ka zgjatur shumë dhe ka dëmtuar jetën e shumë njerëzve. Konflikti ka ndaluar zhvillimin e rajonit dhe ka penguar integrimin në Evropë. Kjo gjë është dashur të ndodhë tash e sa kohë për të përfunduar mosmarrëveshjen një herë e përgjithmonë”, ka thënë Engel.
“Një zgjidhje përfundimtare e konfliktit duhet të përfshijë disa parime kryesore: Ajo duhet të çojë në njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë. Ajo duhet të hapë rrugën që Kosova dhe Serbia të hyjnë në të gjitha strukturat e Paktit Veriatlantik, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO. Dhe, ajo duhet t’i japë Kosovës anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare në mënyrë që të mund të ecë përpara siç do të bënte çdo vend tjetër”, thotë Engel.
Kongresmeni Engel gjithashtu kujton edhe viktimat e luftës, ku sipas tij, duhet të ngadhënjejë drejtësia e që autorët e krimit të marrin përgjegjësi, në mënyrë që popujt e këtyre shteteve të përqafojnë të ardhmen.