Konjufca kërkon koordinim nga Shqipëria që të mos dëmtohet Kosova në dialog

Shqipëria, është vendi i pari që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka zgjedhur ta vizitojë. Ai fillimisht është takuar me homologun e tij, Gramoz Ruçi, ku edhe tha se kanë biseduar në veçanti për përballje e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe sfidën e Gjykatës Speciale.

Konjufca ka thënë se duhet një koordinim me qeverinë shqiptare që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje përfundimtare dhe se krijimi i çfarëdo etniteti serb brenda Kosovës që do të udhëhiqej nga Beogradi, do ishte i dëmshëm.

“Ne do të përballemi me një dialog të vështirë me Serbinë, meqenëse faktorët ndërkombëtar që e udhëheqin dhe organizojnë këtë dialog e kanë definuar atë si faza përfundimtare për përmbyllje të dialogut dhe duhet ta merr formën e një marrëveshje finale. Na duhet një koordinim i thellë dhe i ngushtë me Republikën e Shqipërisë që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje e tillë. Për Kosovën dëm është, ashtu siç e kemi formuluar ne dhe institucionet tona, krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Republikës së Kosovës, e cila do të kontrollohej nga Beogradi”, ka thënë ai.

“Për mendimin tonë si Shqipëri, Serbia është ajo që ka kryer gjenocid, ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ajo ka fshehur kriminelë në kërkim për dekada të tëra dhe nuk ka bashkëpunuar me gjykatën e drejtësisë në Hagë. Ndërsa sot përpiqet të glorifikojë kriminelët e vet që i kanë mbrojtur dhe fshehur. Pra duke përfundimtar, koha punon për Kosovën se ajo është në anën e duhur dhe drejtë të historisë”, ka thënë Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Krykuvendari Konjufca ka takuar edhe presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

“Më gëzoj shumë fakti që qëndrimet e PD-së janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës të cilat i shpjegoj edhe kryetari Basha. Këto na ndihmojmë në pozicionimin e Kosovës në proceset e ardhshme, e edhe në dialogun me Serbinë, por edhe në sfidat e integrimeve evropiane”, ka thënë Konjufca.

“Në qëndrimin krah për krah me institucionet e Kosovës për përballje ne sfidave të tjera, ku për PD dhe mua personalisht mbetet prioritet vazhdimi i njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe përfundimi me sukses i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë të këtyre dy shteteve, si një investim i domosdoshëm për të çimentuar stabilitetin dhe orientimin euro-atlantik të rajonit tonë”, ka thënë Basha.

Konjufca ka falënderuar shtetin fqinj për ndihëm e dhënë për të tejkaluar situatën me pandeminë dhe vaksinimin e një pjese të stafit shëndetësor.

Leave a Comment

Your email address will not be published.