Konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë (Pjesa I)

Shkruajn: Agon Maliqi & Florian Qehaja

Përpjekjet e Kosovës për ta konsoliduar plotësisht shtetësinë në arenën ndërkombëtare janë ngujuar në një rrugë qorre. Marrëveshjet e Brukselit e kanë mundësuar rritjen e kontrollit efektiv mbi territorin dhe integrimin e konsiderueshëm të strukturave paralele të veriut. Por në rrafshin ndërkombëtar prej vitesh Kosova nuk ka arritur të çajë përmbajtësisht me rritjen e njohjeve bilaterale apo me anëtarësim në organizata multilaterale, madje është detyruar t’i mbrojë njohjet ekzistuese. Gjatë viteve në vijim, Kosova sipas të gjitha gjasave do të përballet me një kontekst ndërkombëtar edhe më të ndërlikuar, i cili do ta pamundësojë arritjen e njohjeve të mëtutjeshme bilaterale, sidomos atyre që na hapin rrugën drejt synimeve strategjike (anëtarësimin në NATO dhe BE). 

Kjo situatë përbën shqetësim serioz për tre arsye kryesore:

Së pari, mungesa e përfshirjes së plotë në sistemin ndërkombëtar prodhon pasoja të rënda dhe shumëdimensionale për zhvillimin e vendit. Kosova do të vazhdojë të përballet me vështirësi në thellimin e raporteve kontraktuale me BE-në (për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare) apo në proceset multilaterale rajonale (për shkak të pengesave prej Serbisë si dhe Bosnjes e Hercegovinës); me probleme në krijimin e raporteve normale tregtare, si dhe me perceptimin e pasigurisë juridike për investime, sidomos të atyre strategjike. Kosova tashmë ka humbur shumë kohë pa perspektivë të qartë të zhvillimit. 

Së dyti, prezenca e KFOR-it nuk mund të merret si garanci e përjetshme e sigurisë, ndërkohë që Serbia mbetet kërcënim serioz i drejtpërdrejtë për Kosovën. Për shkak të mosnjohjes nga disa shtete anëtare, Kosova nuk ka shteg të hapur për anëtarërsim në NATO. Si rrjedhojë, Kosova nuk ka garanci të mbrojtjes së kufijve në kontekst të vazhdimit të pretendimeve territoriale të Serbisë por varet nga mbështetja dhe disponimi i partnerëve bilateralë. Duke e marrë parasysh tendencën afatgjate të SHBA-ve për t’u tërhequr nga roli i garantuesit të sigurisë së Europës si dhe mosgatishmërinë e Europës për ta marrë përsipër këtë rol; duke e pasur parasysh armatosjen në rritje të Serbisë, si dhe interesin e palëve të jashtme si Rusia për ta mbajtur Ballkanin vatër të mundshme jostabiliteti – Kosova po futet në dhjetëvjeçarin e ardhshëm e të brishtë nga perspektiva e sigurisë, me komunat e veriut në rrezik të veçantë. 

Së treti, paqëndrueshmëria e kësaj situate ka rritur shqetësimet se Kosovës mund t’i kërkohet të bëjë kompromise që mund ta cenojnë funksionalitetin e shtetit, territorin apo edhe subjektivitetin ndërkombëtar. Duke qenë se Kosova tashmë e ka bërë një kompromis të vështirë me Pakon e Ahtisaarit, hapësira për lëshime të tjera në rregullimin e brendshëm pa e cenuar funksionalitetin e shtetit është tejet e kufizuar. Për këtë arsye presionet për kompromise kanë filluar ta largojnë dialogun me Serbinë nga binarët e Pakos së Ahtisaarit. Kosova ndodhet pranë rrezikut që pozitën e vet të cunguar në arenën ndërkombëtare ta zëvendësojë me cungim të brendshëm, humbje të territorit apo edhe me dobësim të subjektivitetit ndërkombëtar. 

Shkaqet e kësaj situate janë të shumta dhe strukturore, por do t’i veçonim katër prej tyre:

Së pari, demokracitë perëndimore që e mundësuan pavarësinë e Kosovës kanë shënuar rënie relative të fuqisë në raport me fuqitë bllokuese ndaj Kosovës. Konteksti i favorshëm ndërkombëtar i cili e mundësoi pavarësinë tashmë nuk ekziston. Parimet liberale të së drejtës ndërkombëtare nuk janë më aq përcaktuese sa ç’kanë qenë – jemi kthyer me të dyja këmbët në epokën e realizmit dhe gjeopolitikës cinike. Njëkohësisht, SHBA-të nuk janë më aq të fuqishme dhe të interesuara që ta shpenzojnë kapitalin e tyre politik në raportet me Rusinë dhe Kinën në një projekt si Kosova, i cili nga perspektiva e interesave strategjike të SHBA mbetet periferik për nga rëndësia. 

Së dyti, fokusi dhe aftësia e BE-së për t’i zgjidhur problement e Ballkanit ka shënuar rënie të vazhdueshme si rezultat i krizave të saja brendshme. Skepticizmi ndaj zgjerimit mbetet i madh. Skepticizmin e elitave politike të Europës perëndimore ndaj zgjerimit e kanë ushqyer edhe zhgënjimet me rënien e standardeve të qeverisjes në vendet e reja anëtare të lindjes. Mospajtimet në mes të Francës dhe Gjermanisë mbi zgjerimin e kanë krijuar nevojën për një konsensus të ri europian për Ballkanin, por jo edhe vullnetin politik për ta arritur atë.

Së treti, mungesa e perspektivës për anëtarësim do të thotë se BE-ja nuk mund të shërbejë më si busull orientuese apo edhe si mekanizëm për ta detyruar Serbinë që ta njohë Kosovën. Procesi i integrimeve europiane shërbeu në Ballkan si instrument kyç i demokratizimit dhe paqëtimit për shkak se i bënte vendet e Ballkanit të kushtëzueshme. Pa perspektivën e anëtarësimit në BE, Serbia nuk e ka asnjë shtysë të fortë për ta njohur Kosovën. Si rrjedhojë, është zvogëluar në masë të konsiderueshme pesha dhe rëndësia BE-së si palë ndërmjetësuese në zgjidhjen e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe pesha e Gjermanisë – partnerit kryesor strategjik të Kosovës brenda BE-së.

Së katërti, Kosova nuk i ka ndihmuar vetes me qasjen kryeneçe duke harruar se asimetria e fuqisë ndaj Serbisë nuk thyhet pa bashkëpunimin me aleatët që janë hisedarë dhe kreditorë të shtetësisë. Kosova gjatë viteve të fundit është përpjekur të tregojë autonomi veprimi, por në mënyrën e gabuar. Ndërmarrja e hapave unilateralë në afekt, apo ngujimi në pozicione pa u menduar mirë për pasojat dhe qëllimet përfundimtare, kanë pasur kryesisht motive të brendshme brendshme politike.  Kjo qasje gjthnjë e më izoluese dhe aventuriere, që u pa në çështjet si demarkacioni me Malin e Zi apo edhe te taksat ndaj Serbisë, e ka dëmtuar kredibilitetin e Kosovës në sytë e partnerëve, e ka thelluar izolimin tonë ndërkombëtar dhe i ka çuar raportet me SHBA-të në pikën e tyre më të ulët në 20 vjet. 

Leave a Comment

Your email address will not be published.